Sunday, April 22, 2012

Shkoder, Albania

Shkoder, Albania by rozafa2010
Shkoder, Albania, a photo by rozafa2010 on Flickr.

Shkoder, Albania

Shkoder, Albania by rozafa2010
Shkoder, Albania, a photo by rozafa2010 on Flickr.

Wednesday, April 4, 2012

Vransina - Rozafa Shpuza





© Rozafa Shpuza




S'e di pse vransina të kthen përherë te prologu, aty ku nisi një histori, aty ku vështrimet u kryqëzuen, aty ku nji dorë të preku si rastësisht e ti u drodhe, aty ku u skuqe prej nji fjalet naive, aty ku s’mujte me kapërdi as ujin... Asht bukur me u kthye tek prologu e me pritë që shiu  me i shpërla nga pluhni i harresës kujtimet...

Por shiu s’po duket. Retë e grinosuna janë ulë deri poshtë ndër petalet e luleve të brishta që sapo kanë nisë me çilë. Kalimtarët çojnë herë mbas herë kryet, si me dashtë me shprazë peshën e kujtimeve. Hapat hidhen ma shpejt. Gërsitja e takave ndër pllakat e thyeme të trotuareve sikur e shton padurimin.

Tak-tak-tak... edhe nji kujtim, edhe nji tjetër. Një pikë lot të ban me besue se shiu filloi. Por jo... Shiu po i mban peng zemrat e të duket sikur po hakmerret me ata që plogështia e dimnit i bani me harrue prologun.

I druhem pranverës e mshehem mbas piklave të vesës, me shpresën se kam me i pshtue synit të saj kaltrosh. Kur isha e vogël ngitja kuturu mbi luledelet naziqe të parkut, tash ngas pa fre ndër imagjinata marroqe. Nuk di kujt me ia rrëfye këtë sekret. Zogjtë më përqeshin e cicërojnë edhe ma fort. Lulet e qershive lozin me frikën teme e zbardhin hyjnisht ndër degt’ e hallakatuna prej gazmendit. I druhem pranverës e mbes pa frymë pas piklave të vesës, që mezi presin me vizllue ndër petale...

Vransina asht mbarsë prej padurimit e asht ba gati me shpërthye ndër pasthirrma t'epshume. Frymëmarrjet e shpejtueme të kalimtarëve ma lehtësojnë sadopak ankthin e pritjes: Vransina nuk më paska kthye vetëm mue te prologu.

Diku në qoshe t’udhëkryqit, nji plak matet me pre rrugën. E kapi përkrahu dhe, nën trokun e bastunit, mbërrijmë në trotuarin përtej. Sytë i njomen teksa ma përkëdhel dorën me gishtat që i dridhen dhe shikimi i nderet te prologu i zvetnuem prej stinve lajkatre. Ven buzen n’gaz ambël dhe e tërhek dorën lehtë, si me drashtë se po e trembë atë kujtim të largët.

- Si s’po fillon ky shi i bekuem...!? – pëshpërit lehtë dhe mollzat i skuqen padashas.

Anipse prologët na grishin pejzat ma hollake të shpirtit, para tyne bahena naivë e ngasim ndër kujtime pa e vra mendje për muret heshtakë, me shpresën se po e provojmë edhe nji herë atë emocion të kahershëm që asht zanafilla e drithërimave. Por çdonjeni e din mirë se koha asht si nji orë shkatarraqe, akrepat e të cilës sillen pajada, pa mujt' me u kthye kurrma në fillesë. Veç sytë na padisin ndër kisi hullish' ku na shkapetë koha..., se sa për zemrën, mos t'thonë kush se mundet me ia matë tërmetet e rrahjeve...


(30 mars 2012)



Tuesday, April 3, 2012

Andrrim - Rozafa Shpuza


Muzgu spërkat
bregun e valëzuem
me grimca të arta hane
e deti osh tallazet
kah fari i vetmisë.
Direku luhatet
ndër dredhi sirenash,
që rreken me mshehë
limanin e pritjeve.
Andejpari,
gishtat kacafyten
ndër rrjeta malli
tuj andrru baticën
e përqafimit tand
t’njelmë.

(8 mars 2012)