Tuesday, June 19, 2012

Dilemë bordurash - Rozafa Shpuza



Më ndodh shpesh me mbetë në zgrip bordurash, në mëdyshje për hapin që duhet me hedhë në asfaltin e përvëluem prej zhegut memec.
Tuj kenë ma nalt se rruga, bordura ma nep njëfarë sigurie. Drita e verdhë e semaforit rreket me m’joshë, ashtu e strukun ndërmjet dy bojnash kundërshtare, por e kam t`pamujtun me parashikue se, mbas atij pulsimi tinzar, asht rradha e të kuqes apo jeshiles. Boritë nervoze të makinave ma shtojnë ankthin, por bordura asht mikpritëse e nuk më gjykon për pasigurinë teme.
Kalimtarët përbri mejet ndoshta nuk e kanë këtë dilemë bordurash e nuk dojnë me ditë për rregullat e semaforit të zbehtë që lodhet me sfidu diellin e mesditës.
Nji polic në mes të udhëkryqit ka ulë kapelen mbi sy e lëviz duert si me kenë personazh i filmave vizatimorë. Prejse isha e përqendrume te ndërrimi i dritave, nuk e kam vu re ma parë se si ai i përmbys rregullat e semaforit pa kurrfarë arsyjet. Prej mënyrës se si kapardiset vehet re qartazi se kjo gja e ban me u ndi krenar. Kush e di se si i duket vedi që urdhnon dhjetna makina vetëm me një të lëvizun doret!
Eh, edhe delirin e policit kam mangut në këtë zheg, kur ngutem e pritja  po m’lodhë! Provoj me kalu rrugën, por kam mbetë në bordurë ma e pasigurt se kurrë. Tuj mos pasë shteg tjetër me mbërritë për ku jam nisë, më sillen ndër mend gjithfarë idesh, por asnjena nuk më tundon për me dredhu rrugë. Semafori duket sikur po tallet me mu se herë ndez të kuqen e herë jeshilen, por asnjena dritë nuk e ka ma funksionin e përcaktum qysh në origjinë. Dora e policit i rrënon tanë përcaktimet fillestare e në udhëkryq mbizotnon pasiguria e ankthi.
Qielli peshon sipër meje si një masë e amullt e nuk ka ma kthjelltësi ku të gjej pak paqe. Boritë e makinave krijojnë një mërzi të plumbtë, kurse lëvizjet e dorës së policit përplasen me nji ritëm pervers ndër sytë e kalimtarëve në të katër rrugët, mbetun peng të nji sinjali. Kënaqësia jetëpak e jeshiles zhbahet si mos me pas ekzistu kurrë.
Si sajesat e muzave të vonueme që trokasin në shpirtin e lodhun prej pritjesh të mbrame, ajri pulitet prej përplasjes t’krahëve të nji V-je dallnyshesh që fluturojnë krejt poshtë, të frigume prej qiellit pa ngjyrë. Vorbullojnë me shpejtësi amullinë bajate e zhduken. Udhëkryqi s’bëzan, veçse baptima e hapave të mija në asfalt davarit ankthin e stërzgjatun ...

(19 qershor 2012)

Thursday, June 14, 2012

Wednesday, June 6, 2012

Qirat e ditlindjes


foto: r.shpuza





Tavolina jeme e punës duhet të jetë vjetrue fort, apo mos ndoshta kjo tejë e ngeshme po mundohet me m'thanë diçka?! Asht e njitrajtshme rrokja që përsërit, por më kot rrekem me deshifrue kodin e saj.
Kërr-kërr, – grimcon prore teja për qejf të vet.
Prej stuhisë së marrë ikin dritat tashparë, ndaj nji qiri i fikun afër meje sikur ma qan hallin. Mirfilli, tejën do ta ketë tundue drita e qirit, që ja ka fillue kangës në këtë orë të vonë të natës. 
Kërr- kërr, - oshtin si ortek mbi syprinën e tavolinës ku shtriqen krahshtrimë do libra të hedhun kuturu.
Tue pa fitilin e nximë prej flakës, padashas kujtohem se s’kam fikë kurrë qira ditëlindjesh. Çudi që s’jam kujtue ma parë, se tashma kam stivue mjaftueshëm vjet në sergjitë e moteve!
Eh, ç’më bani me u rikthye në kohë kjo tejë e pagjumë! Mbylli sytë me shpresën se kam me zhbirilue ndër kthinat e kithta të kujtesës ndonjë arsye se pse s’kam fikë kurrë qira ditëlindjesh. Rrëmoj ndër fletë të mykuna ditarësh e albume të zverdhuna fotografish... Më shfaqen silueta fytyrash të qeshuna, dhurata të vogla të pështjelluna me mirësi, lule të freskëta të këputuna në oborr,… por asnji qiri.
A thue janë lanë pa u vue prej pakujdesisë? A thue s’jam kujtue asnjiherë për këtë rit ditëlindjesh? A thue odat ku kam festue s’kanë kenë të denja për kësi ojnash? A thue ka kenë ndonji bestytni e gjyshes që, pa e thanë me za të naltë, ka zhdukë qirat atë ditë?
Asnji arsye s’më duket bindëse, por nuk kam ma kë me pyet. Stinët më janë varë indiferente ndër supe, tue marrë me vedi njerëzit e mi të dashtun që përvit m’i kanë festue hareshëm ditëlindjet...
Ngulmoj papra’ me përpushë terrin e kujtesës, por asnji tortë me qira s’duket kund. Turravrap lëshohen tue u ngazllye tingujt e orkestrës së vogël, batanijet që mblojnë dritaret, trupa që ndeshen si padashtë në vallzim, mërmërimat e çifteve gati me u dashunue, pritja e akullt për ndonjë urim që s’ka ardhë, urimet e të kënduemet deri në kupë të qiellit…, kujtoj çdo detaj ditëlindjesh, vetëm qirat e ngulun në kajmakun e tortës s’duken kund.
Kërr-kërr, – vazhdon avazin e vet teja biramele e s’don me ia ditë se kam hupë qetësinë. Saora i bie me grusht tavolinës si me dashtë me e tutlue atë tejë të pashpirt... Qiri dremit në taketuken e përmbytun prej parafinës e do relieve sureale ta hallakasin imagjinaten. Ma mpak frymarrjen melankolia e tij ndaj ngutem me e ndezë. Drita nis e dridhulatet lehtë. Flaka ka formën e krahut të dallnyshes: në mrendësi bojvjollcë e ambël, kurse jashtë vjen e bahet bojshegë. Asht krejt e brishtë ajo siluetë e qiri fillon me u shkri, pa mujt me i rrezistue epshit të saj.
Kaplohem prej ndjesisë së paprovueme e rrekem me e fikë qirin, por flirti mes fitilit të ndezun e trupit prej parafine asht aq perfekt, sa nuk më bajnë buzët me e prishë atë intimitet. Kanga e tejës ndihet ma dobët e n’tavolinë asht derdhë nji bojhanë magjike që me mirakandje ka përpie qetësinë e kësaj nate të gjatë...

 (qershor 2012)