Friday, February 25, 2011

Përtej asgjësë - Rozafa Shpuza








(Koha më bën të harroj disa njerëz,
disa njerëz më bëjnë të harroj kohën,
ndërsa disa të tjerë janë koha ime…)
 

I dashur ish-i dashur,
Mos ma merr për dobësi që po të shkruaj, por s’rri dot pa të thënë atë që po përjetoj në këto çaste...
Gjithmonë kam menduar se takimi me ty do të më sillte emocione e ndjesi të papërshkrueshme, po kur të pashë sonte, krejt rastësisht, diku në qoshen e asaj rruge me drita të zbehta, që të jepnin një pamje fajtori, të strukur në xhakavento nga i ftohti i kësaj nate dimri, pas kaq shumë tallazesh shpirtcopëtuara e fjalësh të thëna e të pathëna, nuk ndjeva asgjë. Po, po, asgjë... E nuk ta them për hakmarrje, se tani nuk do të kishte më kuptim kjo gjë.
Eca drejt teje, të përqafova krejt normalisht e ta dhashë dorën, siç do t’ia jepja një miku të largët. Të pashë ndër sy për të kapur ndonjë shkëndijë apo sinjal, por asgjë. U mundova të merrja ngrohtësi nga dora jote, por ajo ishte e ftohtë si acari i dimrit e vetëm më përcolli të dridhura në trup..., jo si ato që dikur veç ti mundje të m’i jepje, por të dridhura të akullta, që më bënë të shtrëngoja fort pallton e të gjeja ngrohje veç tek ajo.
Nuk e di pse filluam të ecnim në rrugën e boshatisur, por hapat tanë nuk e kishin më atë ritmin perfekt të dikurshëm. Më shqetësonte ai ritëm i ngatërruar hapash, e megjithëse u mundova dy-tri herë të ndalesha për ta rregulluar disi, nuk arrita dot. Ecëm pa folur, ndonëse kishim aq shumë për të thënë. Ecëm të ndarë, ndonëse kishim aq shumë mall për t’u bërë një. Ecnim pa e ditur ku shkonim. Heshtja na udhëhiqte e na çonte në vende që dikur na jepnin aq shumë kënaqësi, po kjo natë e ftohtë dimri na kishte bërë si dy heje akulli e ne çapiteshim duke përkëdhelur me sy stolat e preferuar të parkut, kafenetë e qeta, dyert ku kishim hyrë fshehurazi, pragjet ku ishim puthur e kishim shtrënguar fort njëri-tjetrin.
Endeshim në heshtje e në vështrimet e hedhura fshehurazi shihnim veç profilet e fytyrave tona, se asnjëherë nuk e kthyem kokën njëherësh. Nga ecja jonë e çrregullt duart tona ndesheshin nganjëherë, por asnjëri nuk merrte guximin që të shtrëngonte fort dorën e tjetrit. Vazhduam të ecnim kuturu, ndonëse nata bëhej më e errët dhe më e ftohtë. Kishim veç këtë natë, se ti do të ikje e kushedi kur do të shiheshim prapë. Gjithmonë i kam urryer ikjet, e ti e dije fort mirë këtë. Pse ike, atëherë? Për sa shumë gjëra doja të të pyesja, por e ndjeja se do më shmangeshe, siç u je shmangur gjithmonë pyetjeve të mia. Po ç’rëndësi kanë shpjegimet tani?! Secili ka zënë vendin e vet në jetë, por kjo natë dinake, që fshihej tinëzisht nën petkun e pangjyrë të dimrit zemërak, na bashkoi rastësisht e na çoroditi si dy trumcakë pendëngrirë. Krejt si ata edhe ne donim të strukeshim diku, por unë ende nuk e di nëse e kisha vërtet këtë dëshirë apo gjithçka po ndodhte instinktivisht, nën peshën e kujtimeve që duan veç të preken pak e pastaj vërshojnë si përrenj tekanjozë për të marrë me vete ç’ka gjejnë përpara.
Hapat na çuan para një porte tepër të njohur e të dashur për ne. E mban mend sa herë e kemi prekur atë dorezë me shqetësimin se po na shihte kush e me padurimin për t’u futur brenda? Por sonte ishim të qetë e krejt indiferentë ndaj kalimtarëve të rrallë apo komshinjve, që mund të dilnin në dritare. Mjaftoi një “krrak” e çelësit pas derës për të na kujtuar se ishim dashur shumë dikur. Por puthjet ndër buzët e ngrime nga fërfëllima e dimrit s’ishin aq të ngrohta, as prekjet e tua s’e kishin atë magjinë e dikurshme, as trupat tanë nuk arrinin më harmoninë perfekte, që të ndienin edhe përkëdheljen më të vogël e të dalldiseshin.
I dashur ish-i dashur,
Ndoshta koha që ka kaluar na e ka zbehur magjinë e dashurisë, ndoshta largësia na ka shterur, ndoshta indiferenca jote ma ka bërë më të pandjeshëm shpirtin. Dikur e gjithë kjo zemër ishte veç jotja, ndërsa tani ke vetëm një vend atje në qoshen e saj. Ti mos u tremb e mos u tulat si trumcaku që i është shembur foleja nga tufani kryeneç i dimrit, se atë vend do ta kesh përherë, po s’kam ç’t’i bëj kësaj nate tinëzare, që më futi në kurthin e saj e më shpupurishi ëndrrat e mia harrakate për të më kujtuar atë që shpesh më dhemb, por edhe më lumturon. Tash do të duhet të kalojnë orë, ditë, muaj që unë të mund të të lë prapë të qetë në atë qoshen tënde...
Mbase herën tjetër do të takohemi në pranverë e nuk do të jemi kaq të ngrirë e të akullt, mbase e pati fajin veç acari i kësaj nate dimri, mbase... Më thuaj ti: ç’ndodhi me ne?

6 janar 2011






1 comment: