Wednesday, March 16, 2011

Perceptim i vijëzuar - Rozafa Shpuza



I keni parasysh ato ditët me shi, kur as ke dëshirë të dalësh as të rrihet brenda? Kjo e sotmja ishte pikërisht një nga ato ditë dhe ajo, megjithëse u mat disa herë të vishte çizmet e të merrte çadrën, në mëdyshje, vendosi të pinte një çaj në dhomën e saj të ngrohur nga një zjarr bubulak drush e të priste derisa të vinte ai.
Vranësira kishte bërë që mbrëmja të binte para kohe dhe në dhomë të mbretëronte një gjysmerrësirë gjumashe. E strukur në kolltukun përballë dritares, u përhumb në rrufitjen e çajit të malit, aroma e të cilit e bëri të ndihej mirë. Të vetmet zhurma që dëgjoheshin ishin trokitja e pikave të hallakatura në xham, gërhima e maces, që flinte e qetë në krahun e kolltukut dhe kërcitja karakteristike e djegies së druve. Po të rrinte edhe pak në atë gjendje, do ta zinte edhe atë gjumi, ashtu të strukur e pa asnjë emocion, por instinktivisht gishtat i tërhoqën një lidhëse të grilës së brendshme të dritares. U hap vetëm njëra fletë e saj e në dhomë hyri një dritë e frikshme vetëtime, që depërtoi nëpër atë korridor të ngushtë e u përplas ethshëm nëpër mure. Kjo dritë e beftë sikur e zgjoi nga gjendja e plogështisë dhe sytë iu picërruan si të maces, që u hodh përpjetë nga frika. E tërhoqi prapë lidhësen e korridori i dritës u bë më i gjerë, për t’i ofruar skenën e kacafytjes së degëve të shelgut, që ngjasonin me flokët e sirenave në tallazet e shkumëzuara të detit. Por, ngaqë pamja ishte ende e kufizuar, ajo mund të shihte veç majat fundore të tyre, të cilat, ashtu të lagura e të nderuara në erë, dallgëzoheshin para syve të saj me tërbim.
Po i pëlqente ajo lloj soditjeje e ndarë në vija të ngushta fletësh grile, ndaj “praf” hapi dhe një tjetër fletë, që zbuloi gjithë rreshtin e dritareve të qoshes së ndërtesës pesëkatëshe. Orari zyrtar kishte mbaruar e të gjitha lageshin të heshtura në errësirë, me përjashtim të njërës, që ndriçonte dobët. Xhamat e saj ishin veshur me një shtresë të dendur avulli dhe kjo pamje e bëri të imagjinonte skenat e filmave rozë, ku zyrtare me zhartjera shkrrahen nëpër skrivani nën peshën e autoritetit të shefave.
Tashmë ishin hapur pothuajse gjysma e fletëve të grilës e gjysmerrësira e mëparshme e dhomës ua kishte lënë vendin reflektimeve të stuhisë, të cilat shuheshin e ndizeshin si një abazhur tekanjoz. Jashtë shiu s’e kishte prishur fare terezinë e pikat përplaseshin me kokëfortësi kudo, sikur donin t’i lagnin akoma më shumë kalimtarët, të zgjonin të përgjumurit dhe zogjtë ndër fole, apo të lanin xhamat e dritareve dhe vitrinat e rreshtuara si prostitutat në shi.
Piu pak çaj dhe u përqendrua përsëri në ekranin e përgjysmuar të dritares për të parë se ç’do t’i ofronte tjetër ajo përmes atyre korridoreve të ngushta, që hapeshin ngadalë për t’u plotësuar vetëm me fletën e fundit të grilës. Një çadër e zezë e madhe mezi shquhej në cepin tjetër të ndërtesës, nga krahu i parkut, i cili oshtinte nga përkundja e degëve të përqafuara të pemëve. Çadra ishte anuar nga ndriçuesi i rrugës e të dukej sikur ajo, ndryshe nga simotrat e saj, donte t’i mbronte njerëzit jo nga shiu, por nga drita, tamam si ato që përdorin fotografët kur u bëjnë foto artistike modeleve. Dy palë këmbë nën të rropateshin të zinin vend, por s’gjenin rehat. Diku më tej, në xhamin e një kioske, llamburiste një reklamë, por ajo s’e dalloi dot nëse ishte reklamë cigaresh apo prezervativësh. U bë kurioze, ndaj tërhoqi përsëri lidhësen, por, pa qejf, vuri re se ajo kishte shkuar deri në fund e tani dritarja të ofronte pamjen e plotë të asaj nate me shi. U trishtua si fëmijët, që në fund të zgjidhjes së pazëllit mbesin të çorientuar, pa ditur si t’i radhitin copat e mbetura, por s’pati më interes të deshifronte fjalët e reklamës. I ktheu shpinën asaj pamjeje të mërzitshme dhe ndezi dritën me dëshirën që me atë çelës të kthente gjithçka në normalitet, por një zile telefoni do të vijëzonte edhe ajrin e dhomës.
- Alooo! Më doooli diçka e paparashikuar. Do vonooohem...
Zëri përtej aparatit vazhdoi t’i kumbonte i akullt ndër veshë, ndërsa ajo, e përhumbur, ktheu përsëri sytë nga dritarja me shpresën se do të mund të ngjiste copat e atij peizazhi të vijëzuar, që kullonte përvajshëm nga shiu indiferent: një institucion i përgjumur, një dritare me xhama tërë avull, një çadër e madhe e anuar nga drita dhe një reklamë e padeshifruar. Por copat e pazëllit tani ishin më të ngatërruara se kurrë, ndërsa vetëtimat thernin natën me dritat e tyre verbuese.

17 shkurt 2011


No comments:

Post a Comment