Me e mbledhë vjeshtën ndër kosha më duket gjaja ma absurde që kam pa ndonjëherë. E si mundesh me e ba zap nji stinë, pa dashtë me ia ditë për topitjen e buzagazit të kalimtarëve? E pra, sot nade, teksa vrapojsha me mbërritë n’orar në zyrë, u shtanga në zgrip të bordurës tue përpi me sy fshesaret që grumbullojshin me ngut gjethet e rame prej rrebeshit të çmendun të shiut.
Të qindisun prej bulëzave të ujit
e me atë ngjyrën vjeshtake që të magjepste, gjethet puthnin ethshëm pllakat e
trotuarit, sikur e ndjenin se ai përqafim ishte fatal, ndërkohë që rrokullima e fijeve
të ashpra të shisës i merrte me yrysh para e i grumbullonte diku në qoshe, për me përfundu në theqafjen e errët të koshit.
Mendimi i parë që më erdhi ndër
mend ishte se fshesaret do të jenë qeniet e vetme që e urrejnë vjeshtën...!
Fsh- fsh, - luante melodinë e merzitshme në partiturat e
pucetave fshesarja, që, si për ironi, kishte veshë një
mushama të verdhë, tamam si gjethet e përbaltuna prej furisë grishëse të
shisës. Shiu pikonte indiferent e çadra jeme mërmëriste nën atë valle marramendëse.
Era më valëviste kindet e fustanit e manteli shumngjyrësh i gjethve endej pa
pra nëpër ajrin e lagshtuem të rrugicave te parkut.
Më përqethi ai refren i përsëritun
ankthshëm “fsh- fsh” e për nji çast pata frikë se tue kenë se isha ba nji me
vjeshtën, do të përfundojsha edhe unë në atë kosh bashkë me gjethet e heshtun.
I buzëqesha me pahir fshesares e
shpejtova tue mbajtë ekuilibër në bordurën e shtrueme me vjeshtë...
Tetor 2012
No comments:
Post a Comment