Tuesday, December 27, 2011

Rrfim pragviti






Më duhet me e kthye edhe këtë fletë... Të tjerat, periodikisht, janë kthye e heshtojnë të njeshuna mbas murit të ftohtë, ashtu të ndërthuruna shkujdesshëm me aroma stinësh, të shënueme tek-tuk te ndonjë datë me do simbole që s'mundem me i deshifrue. E kthej instinktivisht fletën, por hapësina e bardhë e pjesës së pasme të kopertinës më step. Pa e mendue gjatë e heki krejt prej murit. S’ka kuptim me e lanë ma aty. Në mur mbet nji kuadrat i zbardhun që më kujton ngjyrën e odës para nji viti. Shof si me mëshirë fletën e dhetorit, që ka pritë 11 muej, e strukun nën peshën e fletëve të tjera, e tash nuk mundet me provue ndjesinë e njeshjes mbas murit.
Do lëkura portokalli që kam vu mbi shporet lshojnë një aromë të ndjellëse. Zjermi bubulon ngeshëm mbas pareteve prej gize e unë çuditem se si mund të shijohet nji zjerm, kur s’mundesh me pa gjuhët e tij të kuqe që hallakaten e përpihen prej oxhakut, i cili krenohet me atë tym bojhini që rreket me sfidue retë. Numrat ndër fletët e kalendarit nxijnë indifernt në sfondin e vijëzuem të javëve. Vetëm të dilet e ditët e festave kanë pasë privilegjin me u shënue me të kuqe. Aty-këtu, dalloj orare takimesh, iniciale emnash, destinacione udhëtimesh, shënim për pirje ilaçesh, ditëlindje, humbje... A thue po i rrëfehem këtyne fletëve të zverdhuna në këtë pragvit? Përhumbem ndër numrat e radhitun simetrikisht e duket sikur ato maten me më thanë se ku mbrrita. Ku gabova? Kë humba? Ç'andrra pashë? Cila ditë më dha ma shumë shpresë?
A thue asht nostalgjia e këtyne zgipditësh që të krijon këtë pështjellim ndjesish e këtë dëshirë të mshehun me ndreqë diçka? Si ai këpucari që arrnon kpucën e shkyeme të udhtarit të nisun për rrugë të gjatë, mue më duhet me arrnue cipën e shpirtit që më asht sfilitë prej do datash të rrumbullakosuna në kalendar. Më duhet me fillue prej fillimit e me kapërdi theqafjet e idhta. Jena në prag e pragjet gjithmonë janë të mbarsuna me lamtumira e mirëseardhje...
Era gërset në dritare me gishta degësh të zhveshuna. Ndër xhamat e limuet kullojnë avujt, në mëdyshje për ndjesitë që provojnë dy faqet e tyre. Retë e randueme po bajnë përgatitjet e fundit për vallen e çmendun të kristaleve e ndonjë fishekzjarr e hedhun kuturu më kot mundohet me e prishë këtë magji të bardhë.
Cakitja e dy gotave me venë të kuqe sjell gjithçka në normalitet. Buzët harkohen për me shpërthye në hare e sytë shkëlqejnë dritshëm. Kalendari i vjetër rrëshqet diku nën tavolinë e urimet tradicionale për Vitin e Ri paqtojnë shpirtnat: Gëzuar!

Rozafa Shpuza





No comments:

Post a Comment