Në agun e kristalizuem të fillimvitit hodha sytë përreth
e pashë se asgjë përtej mendsh nuk kishte ndodhë. Ishin ndërrue veç shifrat në
kalendarin e murit dhe ishin boshatisë do shishe ma shumë në tavolinën e velun
prej pjatave të përgjysmueme. Ndjej se kam shije të hidhun në gojë dhe kuptoj
se andrra e nji nate ma parë s’ka kenë fort e kandshme. E di mirë se kjo hidhësi
asht e vetmja gja që s’jam e zonja me e kapërdi. Qysh në vogli më ka miklue
refreni i paragjumit “shifsh ëndrra të bukura”, e ai ka vazhdue me m’bëza lehtë
në vesh si jehonë ogurmirë në çaste përhumbjesh. Po kush me ma pëshpëritë këtë
refren tesh, kur ndërrimet e fletëve të kalendarëve hipokritë kanë marrë me vedi
shpirtna njerëzish të dashtun e kanë lanë pas kujtime që bulojnë spontanisht
ndër epilogë të mrrolun andrrash?
Eci mes këtyre ndjesish të hapërdame... Hapat përpihen prej
monotonisë së ditëve, kurse baptima e tyne bahet gjithnji e ma shkallmuese.
Në këtë vorbull udhëkryqesh, shkujdesshëm futem në ndonjë shteg të mjegulluem. E
ashtu, me mendjen në erë, vazhdoj me hedhë ngutshëm hapat, me shpresën se kam
me mbërritë atje ku andërroj. Shpeshherë ndodh që shtegu asht pa krye e unë
kapërthehem e zhgënjyeme në murin e akullt të boshllëkut.
“Prit pak! – i tham vedit. Ku mbërrita kështu? Për ku
isha nisë? Pse më tërhoqi deri këtu magjia e atij vështrimi e pastaj më lëshoi
si gjeth vjeshte në batakun e baltosur të shinave të fundstinës?”
Tue kenë e magjepsun nga shija e ambël e andrrës, nuk i kisha
vu re theqafjet, anipse frymëmerrja për ty e
hapëzoja pas teje si hije e bardhë
tue iu gëzu mesditave, kur hijet zhdukeshin e ne baheshim nji.
Por përplasja me asgjanë më përmendi dhe ndjeva se kisha
mbetë vetëm.
Kam frikë me rifillu rrugëtimin ndër numrat e pashpirtë
të kalendarit, por e panjohuna më grish e vazhdoj me ecë. Kthinat e ditëve, si
magjistrica fjalëpaka, më thërrasin ndër kurthet e tyne.
- Ban sevap, he t’u realizoshin andrrat!
Ndalem para asaj dore të shtrieme mjerisht për kah retë e
lodhuna prej gjamave të shiut. Sytë më njomen prej atij urimi, por hapat s’dojnë
me ia ditë e gërdhishtin ma fort se kurrë trotuarin e dërrmuem prej peshës së tyne.
Rrekem me krahasue shijet e andrrave. Kapërdij shijen e fundit e teksa
përcillem ndiej nji aromë dehëse në ajri’...
Tesh e di mirë se andrrat janë nji mriz i paqtë ndjesish deri
në çastin kur shkapetemi me muret e ftofta, që kishim andërrue me i kthye në
ura. Lum kush mbërrin me blatue ura, se ka me pasë shije të mrekullueshme andrrash
në shpirt!
Rozafa Shpuza
No comments:
Post a Comment