Thursday, December 9, 2010

Zef Zorba - Poezi



NË VEND TË HYRJES


I errët ky shteg. Nuk mundem
rrugën me gjetë pa dritën
tande. (Çka më sëmbon?)
Në cep të greminës,
që joshë e ngujon,
a nuk e sheh si po lëkundem?


DRITË PËRMES AVULLI

Dalloj fytyrën tënde, pluhur bore;
marrshëm për pak më buzëqeshë
si protoplazëm “in vitro”,

por në vorbuj shtozovallesh kapërdihet
e s’le veçse një zhig përshtypjeje…




SHKALLA E KAKARRIQIT

E kapërthyer me lugetër hëna
njollat e territ përgjakë
e nata,
tinzare fërshëllen mbas pritash,
si në kohën e cubave
kur thika vetëtinte e ftohët;
e buzagaz me pezëm.

Harbon përbindshëm rrëpira
e ngeshme në perspektivë
për t’u qepur në një kënd
me qiellin e detin.

(Më rrashtë e më tepër ferr
shkrepat ceporë,
kërcënuese për m’u shprazë në rrënojë
përmbi eshtra
që vetëm lëkura i lidhë
e vullneti).
o natë, o natë,
mos ky qenka pikësynimi?

Të ngrysura ëndërrimet sërish vërshojnë
lëvyrëse e me të lutura,
por ndalem në vend:
shuplakë
kulla picingule e katallanit të lashtë.

Prej së larti një dhi cubele,
që përçukon ndër gjethe sherbele,
si e marrë me këqyrë
e më fton me sytë e përlotur.

“Pse s’ngjitesh, qyqare, gjersa të kânde?
Unë nuk vij dot me ty:
Nuk kam si shkoqem prej kësi ngujimi
ku frymën e mbaj gjallë
me cirka arsyetimi;
ku foshnja
piqet në djep
prej ethesh përvëluese,
ku jeta – dhuratë përbuzet,
ku hiqet dreqi me vdekë”.




KUR MBETESHA VETËM ME TY
Dimër, 1946

Kur mbetesha vetëm me ty,
o zemra ime,
netësh të mbarsura me stuhi,
mërgime kujtesash në atë dhomën e gjatë,
pa dritë.

Anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte
sajimesh
që një mbas një
ndeheshim palë e palë
mbi mua, kapitur gjumi në shpinë

me më ba dëshirash një trupore pjalmi
mortore.


TJERA BLERIME
Terezës

Si lule dylli gjethet
veshur me vapë e t`zberë
e nuk lëvizin…
e merrnin frymë me zor
e…oh…
S`andejmi
ku paskeshin ngelur kujtesë brymore
zgjohen flauri
tjera blerime,
rinore
(A të kujtohet? Atë verë
burimet heshtja na i trazonte.
këndoja vijat e fatit
në dorën tënde flakë.
Endeshin rrugësh të çuditshme,
pa folë.

Pastaj n`teatër; një Gjido
i larë në djersë
përpëlitej i falisur.
Ti shkuleshe n`gaz me të madhe,
por në sy të vetëtinte
stuhia e Shtatorit…
A të kujtohet?)



MBAS VARRIMIT

Shiu s`po pushon sot nadje.
Dy djem të fillores,
sytë duke picrruar lexojnë
në shtyllë të telefonit në udha-kryq
letrën me anë të zeza.

“Uuu…! ai plaku…”
(çon trinën e dorës nën hundë
më i madhi.)

Buzë mbrëmjes hëna e plotë
shkëlqen e pa- mârre.
Ca gra në jazë
kalojnë nën ballkon
e gazin që i plasë
përpiqen m`e fashitë
mbas rubash të zeza.




FIKU

Ta lumsha, fik! Ma këpute
shpirtin në Janar, kur të vëreja
të strukur ashtu
mbas murit
asht e lëkurë.

Po shpejt në pranverë
veten e more në dorë
e tash blerimi yt
ushton kumbonë.



SHTËPIZAT

Për njëra tjetrën strukur
shtëpizat,
të dala boje përkulen,
mërdhasin
me sy të ngulitur në horizont.

Është qielli plot pranverë.
Unë s`drua
Edhe po të më priret prej hallesh
një brengë.

(Mos ndoshta kjo erë
ma zgjon falisur
për reshje përtëritëse?

Kesh bahemi fëmi
edhe një herë!)




SA MIRË, ATËHERË…

Sa mirë, atëherë, o mite, kur isha fëmi;
i lodhur prej lodrimesh gjithë ditën,
nën hije të një shelgu bija këputur gjumi:

ëndrra
gjithfarë, plot ndriçime. I pezmatuar
tash vetëm ndrydhi, e nata, e ditës lubi,
shpirtin ndër helme përkundë,
e arsyeja brehet
panda, e brenë.
E në agim shiroku,
një mbas një, sy lotues ngulitë mbi xhame;
bie ora pesë: unë kryqin marr në krah
e më pak frymë fillohen për Kalvar.

Eci. Dhe me ngadalë e lehtë një këngë sajohet
ndër dej: “ad adiuvandum me festina”.
E këmba përmbi baltë len gjurmë të thella.




ANDANTE MOSSO

Se çfarë kumbon, se ka ndriçon s’e dijmë:
vetiu prej dheu buron trishtim e mjegull.
Pre gjumit shekullor, ende të gjalla
Lajthitjet kot se i përpushë: qenkan shfrime
Tani të pezmatuara: vetëtima
Që flakuruan dikur(e ç’përcullonin!).
Div i kërtylur ëndrimesh, pa drojtje
zhigat kundroje, e syri fek s’të bënte
pse binin një pas një: e Zot, e trima,
e dituri te lashta. Dhe atëherë me shifra
ujdí sendërgjoje, e vetëm lëndës
ia pate besën, pa e marre në dorë
tëposhtem.
Por geometria afshin nuk ta zgjidhi,
madje as vargu, kur e hulumtove
në difraksion rrezesh iks. jeremisur
ke mbetë
në mes të askurrgjësë e të pambarimit…..



ALLEGRO FURIOSO

....e shpesh ka pa liqenin të shpupurishur:
kundër reve të mbarsura
me shkreptima të dhunshme,
me kordha shkumësh të pareshtura,
me gjithë sa kishte frymë,
sulmonte, e gërmushej;

por shi vazhdoi me ra……



LENTO

Për çdo 10 qershor


Rrugë e përmbytur në mjegull, ngushtime
Rrathësh, kjo amulli e hirtë ku shuhen
Hingëllime kuajsh të stërvinuar harrese.

(Oh, kot se i përsëris me mend poetët!
Kurdoherë e më fort ushtojnë fjalët
Që, herët atë mëngjes, të cunguara
Si lamsh iu lidhen gruas..ne ..fyt kur tha:
“O burrë, nuk ke çka bën, nuk ke…na vdiq…

E vështrova –atëherë - majat e pemëve:
avullonin në qullin e çative
me vorbuj vese.
Stinës i paskëshin mbaruar ditët
Ndër labirinthe aq të ndërlikuar,
por jo si m’i pati shtruar ajo
kur sytë i bënte mjaltë e më tregonte
detin e horizontin e kristalet
e praruar që shkumën posa e ciknin
kinse me siguri libimi
ndër brigje…)

S’kam më nevojë me pa. Tash përmbi mjegull
e di se plyma shpendësh të uritur
sulen drejt bregut moçalor të liqenit….
Por i kthen veri mbrapa;sikur dhe mua
Shortin ma dredh e që s’më shqitet më dot:
te mos e honeps prap tymin
e furrës gelqerore
m’atë anë të liqenit
që malit papushim
gjithnjë
I lëvyret e i lëvyret…..







No comments:

Post a Comment