foto: r.shpuza
Tavolina jeme e punës
duhet të jetë vjetrue fort, apo mos ndoshta kjo tejë e ngeshme po mundohet me
m'thanë diçka?! Asht e njitrajtshme rrokja që përsërit, por më kot rrekem me
deshifrue kodin e saj.
Kërr-kërr, – grimcon prore
teja për qejf të vet.
Prej stuhisë së marrë
ikin dritat tashparë, ndaj nji qiri i fikun afër meje sikur ma qan hallin. Mirfilli,
tejën do ta ketë tundue drita e qirit, që ja ka fillue kangës në këtë orë të
vonë të natës.
Kërr- kërr, - oshtin
si ortek mbi syprinën e tavolinës ku shtriqen krahshtrimë do libra të hedhun
kuturu.
Tue pa fitilin e
nximë prej flakës, padashas kujtohem se s’kam fikë kurrë qira ditëlindjesh.
Çudi që s’jam kujtue ma parë, se tashma kam stivue mjaftueshëm vjet në sergjitë
e moteve!
Eh, ç’më bani me u
rikthye në kohë kjo tejë e pagjumë! Mbylli sytë me shpresën se kam me zhbirilue
ndër kthinat e kithta të kujtesës ndonjë arsye se pse s’kam fikë kurrë qira
ditëlindjesh. Rrëmoj ndër fletë të mykuna ditarësh e albume të zverdhuna
fotografish... Më shfaqen silueta fytyrash të qeshuna, dhurata të vogla
të pështjelluna me mirësi, lule të freskëta të këputuna në oborr,… por asnji
qiri.
A thue janë lanë pa u
vue prej pakujdesisë? A thue s’jam kujtue asnjiherë për këtë rit ditëlindjesh?
A thue odat ku kam festue s’kanë kenë të denja për kësi ojnash? A thue ka kenë
ndonji bestytni e gjyshes që, pa e thanë me za të naltë, ka zhdukë qirat atë
ditë?
Asnji arsye s’më
duket bindëse, por nuk kam ma kë me pyet. Stinët më janë varë indiferente ndër
supe, tue marrë me vedi njerëzit e mi të dashtun që përvit m’i kanë festue hareshëm
ditëlindjet...
Ngulmoj papra’ me përpushë
terrin e kujtesës, por asnji tortë me qira s’duket kund. Turravrap lëshohen tue
u ngazllye tingujt e orkestrës së vogël, batanijet që mblojnë dritaret, trupa
që ndeshen si padashtë në vallzim, mërmërimat e çifteve gati me u dashunue, pritja
e akullt për ndonjë urim që s’ka ardhë, urimet e të kënduemet deri në kupë të
qiellit…, kujtoj çdo detaj ditëlindjesh, vetëm qirat e ngulun në kajmakun e tortës
s’duken kund.
Kërr-kërr, – vazhdon
avazin e vet teja biramele e s’don me ia ditë se kam hupë qetësinë. Saora i bie
me grusht tavolinës si me dashtë me e tutlue atë tejë të pashpirt... Qiri dremit
në taketuken e përmbytun prej parafinës e do relieve sureale ta hallakasin imagjinaten. Ma mpak
frymarrjen melankolia e tij ndaj ngutem me e ndezë. Drita nis e dridhulatet lehtë.
Flaka ka formën e krahut të dallnyshes: në mrendësi bojvjollcë e ambël, kurse
jashtë vjen e bahet bojshegë. Asht krejt e brishtë ajo siluetë e qiri fillon me
u shkri, pa mujt me i rrezistue epshit të saj.
Kaplohem prej ndjesisë së paprovueme e rrekem me e fikë
qirin, por flirti mes fitilit të ndezun e trupit prej parafine asht aq perfekt,
sa nuk më bajnë buzët me e prishë atë intimitet. Kanga e tejës ndihet ma dobët
e n’tavolinë asht derdhë nji bojhanë magjike që me mirakandje ka përpie
qetësinë e kësaj nate të gjatë...
(qershor
2012)
No comments:
Post a Comment