Askush s’e mori vesht
pse banorët e ngrehinës ma të përfolun virtuale filluen me u grishë me
njeni-tjetrin e mos me u ndie rahat në hapësinën që u ishte rezervue për
aventurën e tyne bojshegë. M'erdh krejt natyrshëm ky epitet, se nuk deshta
assesi me përdorë epitetet bajate të reportazheve të gazetave për ngjarjet
e randomta reale, mbasi kjo që po ju rrëfej nuk asht e tillë...
Njimend asht nji
bashkëjetesë krejt larg parashikimeve të atyne që e mbajnë vedin për tejpamës,
por, afërmendsh, kjo asht jeta që secili ka andrrue me pasë: e hareshme, me
aventura t'pacake, e miklueme prej mirakandjeve të miqve që përditë shumohen si
gazetat ndër sergjiat e pluhnosuna, e lehtë si reja, pa orare e pa teka
stinësh... Gjithçka asht e përsosun, prejse banorët e kanë në dorë me i vu si
të dojnë bojnat e shpirtit, meloditë, mendimet e përzgjedhjet e miqve të vjetër
e rishtarë.
Duhet veçse me pasë
imagjinatë e ajo bahet realitet në murin që rrethon lirinë e secilit. Shprehitë
e fytyrës janë krejt të lehta me u ndryshue. Mundesh me kenë i mërzitun, por të
pëlqen me u dukë i gëzuem... mjafton vetëm nji prekje e realizohet kjo dëshirë.
Mundesh me kenë i moshuem, por asgja s’të pengon me i thanë asaj që ke adhurue
tanë jetën fjalët ma të zjarrta të dashunisë... fjalë, që s’ke gjetë asnjiherë
guximin me ia thanë ndër sy. Eh, sa shumë dritare pa grrila ka kjo ngrehinë, pa
dashtë me përmendë baptimën e jehonave të mbasgrrilave!
Krijuesi i kësaj
ngrehine gjigande asht rrekë me e ba sa ma perfekte kët bashkëjetesë bojshegë e
kësisoj pragu i çdo banori ka nji derë me tri reze bojqilli. Tek e para
gjithkush mundet me “pëlqye” gustot e mikut. Tek e dyta mundet me “i shprehë”
livdatat e urimet, kurse e treta asht ma e veçantë, se të lejon me e “shpërnda”
edhe në oborrin tand atë që miku yt ka servirë.
Anipse mirëkuptimi e
bujaria ka kohë që janë shprishë në botën reale, në ngrehinën virtuale buronin përherë
e ma hovshëm. Si duket, kjo ishte kleçka që bojshegasit u velën e ndjenë
nevojën e nji rezeje tjetër. Mirfilli, kjo reze mundej mos me kenë bojqielli si
tri të tjerat, por ajo duhej me ekzistue patjetër në derën e secilit, thjesht
me i ba bojshegasit me u ndi vetvedi.
Krijuesi shpirtmir
asht tue ba të pamujtunen për me e restaurue këtë plasaritje në murin rrethues
të ngrehinës ma të përfolun virtuale e saora ka me e gjetë nji zgjidhje. Rezja
e “mospëlqimit” ka me xanë vend në deren e gjithkujt e tashembrapa bojshegasit
kanë me shprazë barrën e fjalëve të pathana e kanë me vazhdue prore
bashkëjetesën e tyne bojshegë...
Korrik, 2012
Me kenaqe:-)
ReplyDeleteFaleminders Albane! E kisha mendu shpesh me shkru dicka per FB-ne e dje e trillova kete histori :)
ReplyDeleteSa bukur!
ReplyDeleteO Xhexh, sa amel e paske qendise! Boja e sheges - ma merr mendja - shpreh ngjyren e ndjenjes qe ke pase kur e ke hedhe ne leter, a po? Si nuance optimizmi me duket shume e gjetun... A thu e kish' kuptu si duhet Mark Zukerbergu ba me ia nise anglisht kete peticion kaq poetik?!
ReplyDeleteBora siper... (!)
ReplyDelete