Friday, September 28, 2012

Mes dy dashnish - Rozafa Shpuza


(c) rozafa shpuza






Në pragmuzg, kur rrezet dembele po i aviteshin ngeshëm majës së Taraboshit tue i dhanë liqenit nji dritë bojëshegë që të lente pa frymë, qyteti i shtrimë poshtë bedenave të lashta më pëshpëriti lehtë, si me dashtë me m’thanë nji sekret.
Pëshpërima jehoi tue u përplasë ndër muret e rrënueme prej tufanit të moteve, u shumëfishue e u shpërba në hapsinën përtej themeleve të stërmundueme të kalasë.
- Ke me u endë mes dy dashnish - mërmëriti zani i qytetit.
Ktheva kryet me shpresë se gurt e moçëm po më rrëfejnë legjenden, por ata heshtën të stivuem randë mbi sho-shoin, pa dashtë me ia ditë për padurimin tem.
Nji tufë pëllumbash të egër fluturuen sipër meje tue e dridhulatë ajrin e stërpikun me të verdhën e dillit tashma n’arrati. Mora teposhtë kalasë nëpër kalldremin e limuem prej dalldisë së hapave të panjehuna, tue ndjekë me sy fluturimin gri të pëllumbave, që gugaten sekretin e qytetit: “...mes dy dashnish, ...mes dy dashnish”.
Kalaja me dy porta të randa më përcolli tue më beku me tamlin e bardhë të Rozafës. Poshtë saj, Drini kapërthehej në rrjedhën e tërbueme prej dy urash që varen si diagonale mitike e kot rreken me e ba zap.
Përballë, në nji dremitje marramendëse, përkundej Buna e përshkueme tërthor prej dy urash të tjera, që zgjaten deri në rrazë të shkambinjt e qindisun prej sherbelash erëmira.
Diku përtej, në kambë të maleve që i rrinë si kunorë qytetit, turravrapet zallit Kiri i kthjellët, që ban sikur e ndalë tutet para urës së vjetër me harqe nazike, kurse urën e re përshkonte me mospërfillje, tanë inat që i ka ngushtue brigjet me betonin e saj.
Teksa muzgu po i len vendin mbramjes, nji freski e kandshme iu mbështoll si shall mëndafshi supeve naziqe të qytetit, që kalamendej mes dashnisë së ujnave e të maleve. Era e Veriut davariti shtëllungat e reve, që shpejtuen me u zhba, teksa hana derdhi magjinë e saj mbi pullazet kuqaloshe të rrugicave hollake.
Në kët’ qetësi t’lume, prej diku larg, ritmi marramendës i nji rezeje deret m’diftoi sekretin që ishte stivue ndër sergjiat e moteve. Tak–tak, kumbonte prore, pa u fashitë tingulli fillestar, e jehona më pëshpëriste: “Ke me u endë mes të sotmes e të përtejmes, ku prehet gjysma jote; mes vendlindjes dhe qytetit ku jeton; mes dy brigjesh të krypuna miklue prej dufit të zbaticave; mes dashnive që u bjerrën e atyne që buluen; mes fërfëllimave fatale të shpirtit e ndjesive kalimtare; mes magjisë së netve me hanë e terrinës së vetmisë; mes puthjeve që more e atyne që dëshirove; mes miqve që të rrethojnë e atyne që të mungojnë; mes andrrave që realizove e atyne që mbeten ndër bebet e syve të kaltër; mes mirëseardhjeve e lamtumirave...”
... fati jem ishte shkru ndër arkapijat e dyzueme të këtij qyteti fatlum. 




Rozafa Shpuza

No comments:

Post a Comment