Wednesday, April 3, 2013

Rrashta e breshkës - Rozafa Shpuza








Pritja asht kapërthye mbas meje si rrashta e breshkës…
S’e mbaj mend qysh kur ajo u ba nji me mu, por tashma asht vonë me e zhba kët përqafim fatal. Kajher e shtyj prej vedit e rrekem me besue se nuk po pres ma, por hija më shtriqet e paplotë në asfalt, se pritja ia ka përpi krahnorin.
Dikutek, idili i baticave ka mbetë pezull, se pritja asht nderë e njelmët mbi zbaticat; foleja e dallnyshes asht tjetërsue prej ankthit të pritjes; dega e akullueme e luleborës i drithërohet joshjes së sythave në pritje me shpërthye...
I druhem çastit kur baptima e hapave tuj ka me ndalë para meje e pritja ka me u hapërda si mos me pas egzistue kurrë.
- Erdheee?!
- Erdha për ty...
Tamam atëhere kur duhet me u hedhë përpjetë prej gëzimit, çoroditem e zani e hup' jehonën. Nuk di me frymue pa pritjen teme. Pa të ndihem e voshkun si breshka pa rrashtën e saj... 

Prill 2013
(Foto R. Shpuza)

2 comments: