Teshat e
nderuna në ballkonin e katit të pestë të nji ngrehine, rrjepun suvaje, janë përpie
prej vorbullave të marra të erës e i gëzohen atij harbimi pa cak. Retë vikasin
me za bubullimash të largëta e tasheparë marrin nuancat e kumrijave, që meditojnë ndër
tela telefonash.
Mbas pak ka
me ra shi, por kjo asht gjaja ma normale për këta ditë të ujshme marsi. Gjunjtë
e mi, të pasqyruem në pellgun bri semaforit, marrin forma abstrakte. Kalimtarët
shpejtojnë, si të shtymë prej erës, e çdo gja përkulet simbas tekave të
saj.
Për me
krijue njifar sigurue që era mos me m'përfshie në tërbimin e saj, fus duert
ndër xhepat e pardesysë ku gjej nji biletë të zverdhun urbani. Ve' buzën në gaz
prej kësaj vogëlsine që më ban me kujtue se edhe vjet kam veshë të njajtin
pardesy e kam pritë në të njajtin stacion.
Fshesarja
kalon shisën poshtë kambëve të mia, që ndihen paksa të cënueme sipër bordurës,
por degëzat jeshije, të lidhuna primitivisht në nji bisht të gjatë,
vazhdojnë me ledhatue asfaltin krejt indiferente.
Malet
karrshi zbardhin, pa dashtë me ia ditë për arratinë e dimnit. Silueta e
borës kryenece dhe lulet e brishta të kumbulles në oborrin e nji vile me
grrila të mekun, rreken me u marrë vesht me jehona pranvere...
Mars 2013
No comments:
Post a Comment