Thursday, May 9, 2013

Monologu i kulles - Rozafa Shpuza










Maji ia behu i lagun. Bubullimat u zhdavariten ankthshëm ndër skajet e mshehta të qytetit, si me dashtë me tutlue ndjesinë e ambël që u sjell njerëzve idili i petaleve të virgjëna. Prej qosheve të strukuna të ballkoneve ku rigojnë cicërima të reja, dallnyshet u vorbulluen të shkujdesuna e preken me sqep pellgjet kurioze të rrugës tue i pëshpëritë se shiu ka me vazhdue gjatë.
Kulla e damkosun me tre rrathë orësh të zhguluna tinzisht më vrojton çuditshëm e jehona të trembuna shkapeten dreqnisht në mue. Mirazhi i akrepave të ndryshkun rrotullohet tue shenjue premtime të shkoklueme e fusha e gurtë e orës heshton e marrosun prej theqafjeve të tyne. Zhytun në misterin e kujtimeve, kulla gri hepohet ndër barqe resh të mbasuna me rrëke e pengjet e tik-takeve më ngulen thellë në bebet e syve.
Pres me shpresë nji çast të pështjellun me tisin e fundnatës e pragditës, kur akrepat të rrokin sho-shoqin e kumbont të shkundin 12 herë vransinen, por gjithçka asht zhba...Saora ritmi i shiut imiton tik-taket e mekuna e siluetat e orëve të moçme enden ndër gurt e ftoftë të kullës gjatoshe. 
A thue këta tik-take rrebele po rreken me m'diftue sekretin e orëve që vikasin prej s'lagtit? Shiu lag papra tingujt memece te kumbonve e bashkë me ta edhe pritjen teme. Prajtaz, epshi i vetimave ther syprinën e pellgut bri kambëve të kullës me tri silueta orësh që enden mistershëm ndër rrugicat e këtij qyteti që veç laget ...






9 maj 2013






1 comment:

  1. Me pelqejne shkrimet tuaja... mjaft goditur! komplimente

    ReplyDelete