Tuesday, November 23, 2010

Filip Shiroka - Poezi


Shko Dallëndyshe

Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n'qytetin tim.
Shëndet prej meje të m'i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.
Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha që m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.
T'mujsha dhe un' me fluturue
dojsha dhe un' me u nisë me ty,
dojsha n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at'vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
e ti qajma fatin tim.


Nji lules së vyshkun

Lulja e bukur – këput kush të ka,
Prej shoqesh tueja – kush të paska nda?…
M’je vyshkë e thamun – lulja e shkretë
Qysh se të kanë tret

Se ti dhe unë – nda prej shoqenisë
Larg prej qytetit – tim, prej Shqiperisë
Si ti u dogja – lulja e shkretë
Në dhe t’huejin tret

Ti, në kopsht tandin – ku ke lulzue
T’ka ushqye vesa – dielli t’ka gzue
Por tash je veshkun – lulja e shkretë
Tash qi t’ka tretë!

Edh’ un, n’dhe timin – gjith i gazmue
Prindet me knaqshin – isha i lumnue
Por tash po digjem lulja e shkretë
N’dhe t’huejin tretë

1 comment: