Friday, December 3, 2010

Poezi të ndryshme

Përse më shkrove sërish letër? -Iliaz Bombaj

Përse më shkrove sërish letër,
kur koha jonë flinte në hi?
E di ç'më bëre? Më ke ndezur,
për  të më shuar përgjithnji.

E mbaj në duar, më djeg dorën,
e hedh matanë, shpirtin më djeg,
në zjarrin që më ke dërguar,
më thuaj ku ta gjej një shteg?

Përse s'më le në punën time,
të flija lirshëm në harresë?
Ç't'u desh t'i dilje kohës kundër,
të fshije pluhur në kujtesë?

Nëse tek ti lashë disa borxhe,
mos m'i përmend, të lutem, kot,
më thuaj, pra, kush dashurisë,
iu dha dhe nuk i mbeti borxh?

Përse më shkrove sërish letër,
kur koha jonë flinte në hi?
E di ç'më bëre? Më ke ndezur,
për të më shuar përgjithnji.



Jo, mos më nis më letra... - Alliette Audra

Jo, mos më nis më letra, po gjethe ti më nis,
Që dielli than e shkund, që era çjerr e gris,
Ose që ty në dorë vjeshta t’i hedh papritur.
Të nesërmen askurrë tek unë s’kanë mbërritur,
Po ngaqë me të pritur qyshkur qenkammësuar,
Pritja zemrën e dhembshur s’ma paska ashpërsuar.
Vërtet asgjë mbi to s’do të më shkruash ti,
Po unë do t’i lexoj, tamam sikur të di
Fjalët që brenda shpirtit ti formulon për mua,
Se rrezellime flake më janë ëndrrat e tua.
Dhe ngjyrat ti t’i zgjedhësh ashtu si ditët ke:
E freskët qoftë gjethja kur qielli është me re.
Ose e blertë e thellë kur është i zbehtë qielli,
E verdhë e mbyllur qoftë, si përthekim prej dielli
Mbi ballë të një fëmije, me verë në të mbaruar,
Po kur të vijë nëntori, si për të më treguar
Gjithë ç’varros ai e gjithë ç’sjell ndër mend,
Një gjethe sikomori* më n is me emrin tënd.
(Ajo edhe prej ahu e verri le të jetë,
S’ka rëndësi për mua, veç ti të jesh në jetë!)

Në se dikur papritmas ti lumturinë ndesh,
Një gjethe trëndafili më nis, që ta marr vesh.

*Pemë me prejardhje afrikane, që në lashtësi përdorej si dru për sarkofagët egjiptianë

Përktheu: Aurel Plasari


Më falni - Sezen Aksu (poete turke)

Më falni...
A ndaloni nje çikë? Mos jemi njohur bashkë?
Mos ju kam dashur ndonjëherë?
Mos kemi bërë dashuri?

Më falni mos kemi folur më parë?
Mos jemi lodhur së ecuri në një rrugë pa krye?

Sa e njohur më është fytyra juaj!
Mbase e kam marrë në duar, e kam puthur ndonjëherë...

Po të mos më shikoni aq ftohtë
Mund të bëj be se ju kam njohur...

(Po kjo këngë a ju kujtohet?...)

Më falni...
A ndaloni një çikë?
Si quheni?
Mos e kam shkruar në gjoks shkronjën e parë të emrit tuaj?!
Më falni? Ku ishit më parë?
Mund të kem rendur në rrugët nga keni kaluar?

Sa e njohur më është fytyra juaj!
Mbase e kam marrë në duar, e kam puthur ndonjëherë!

Po të mos më shikoni aq ftohtë
Mund të bëj be se ju kam njohur...

(Po kjo kjo këngë a ju kujtohet?)


Përktheu nga turqishtja: Vjollcë Berisha





1 comment:

  1. Sa te bukura Roz keto poezi...sonte ishin melhem per shpirtin tim.

    ReplyDelete