Monday, September 26, 2011

Albanian wedding

Albanian wedding by rozafa2010
Albanian wedding, a photo by rozafa2010 on Flickr.

Albanian wedding

Albanian wedding by rozafa2010
Albanian wedding, a photo by rozafa2010 on Flickr.

Albanian wedding

Albanian wedding by rozafa2010
Albanian wedding, a photo by rozafa2010 on Flickr.

Albanian wedding

Albanian wedding by rozafa2010
Albanian wedding, a photo by rozafa2010 on Flickr.

Tuesday, September 20, 2011

Shi vjeshte - Rozafa Shpuza




- Më jepni një çadër, ju lutem! Atë të verdhën.
- Rrallë kërkojnë këtë ngjyrë.
Nuk ia vë veshin konstatimit të shitëses për ngjyrën e çadrës, por dal fluturimthi nga dyqani që të shijoj përplasjen e pikave të para të shiut mbi sipërfaqen e saj të tendosur, që sikur iu gëzua kërcitjes së butonit të hapjes. Nuanca që rrezatohet prej saj mbi fytyrën time më bën ta përjetoj më nga afër këtë ditë të kuqërremtë vjeshte të vonë.
Eci e i gëzohem pa cak melodisë së çrregullt të shiut. Sa më paska marrë malli për të! Njerëzit, të çoroditur, shpejtojnë hapat dhe pllakat që lëviznin në trotuar janë gati të lagin pulpat e zhveshur, por shiu sapo ka filluar e ato akoma janë të thata. Ndihet n’ajri një ndjesi çlirimi nga gjithë ajo vapë e stërzgjatur. Asfalti nxjerr avull e mirazhi i krijuar të fut në një botë irreale. Vitrinat e dyqaneve janë veshur nga frymëmarrjet e shpeshtuara të kalimtarëve dhe rrëketë që kullojnë ndër to të mallëngjejnë si pa e kuptuar. Parada e çadrave të hapura valëvitet sipas ritmit të hapave dhe i gjithë trotuari i ngjan një fjongoje shumëngjyrëshe që përkëdhelet nga era.
Ah, sa melankoli sjell me vete ky shi! Nëpër parqe gjethet enden me ngut për të zënë vend në atë qilim të butë që të marros me ngjyrat e tij të ndezura. Me çadrën e verdhë mbi kokë jam bërë një me vjeshtën. Eci e më duket se, kur i përshtatem ngjyrave të stinëve, ngjaj me flladin që s’do t’ia dijë se cilin ledhaton me ëmbëlsinë e tij, por veç fryn e krijon mijëra ndjesi lajkatare.
Retë shpupuriten e ndërrojnë nuancat sipas kapriçove të vetëtimave të largëta që ndriçojnë diku sipër tyre. Ka kohë që ato s’dukeshin në qiell, se vera s’desh të ikte, ndaj të gjithë i shfrynë shtatorit që s’po e sillte dot shiun, por më në fund, të malluara, retë vendosën ta vizitonin këtë qytet të zhurmshëm e ta çlironin nga zallamahia e verës së ndezur.
Eci dhe harroj për ku jam nisur. Kjo vjeshtë e vonë që trokiti shkujdesshëm më dalldisi e më futi vrullshëm ndër vorbulla ëndërrimesh të brishta. Ashtu si pikat që bijnë rrëmujshëm, më erdhën pranë një palë sy që i kërkova aq shumë brigjeve të detit... Sa e zhurmshme ishte kjo verë! Sa të lirë e të shkujdesur ishin të gjithë! Sa magji kishte ai det që më kaltëroi, më rrëmbeu të  tërën ndër valë e më bëri të dashurohem pas tij si për herë të parë! Tani shiu i fshiu të gjitha gjurmët në rërën e valëzuar e plazhet mbetën të shkreta. Zbaticat përpinë të fundmet premtime e puthje buzësh të kripura...
Pikat e shiut rimojnë me të verdhën që më jep nuancat e gjetheve në fluturim. Diku në qoshe të rrugës, një plak që po pjek misra, ka hapur nje çadër të madhe. I kërrusur, mundohet të mbrojë zjarrin se mos i fiket nga shiu, por më kot merakoset se era që fryn bën që ai të bubulojë ethshëm. Para meje, dy trupa të shtërnguar struken nën një çadër të kuqe, e duket sikur sapo e kanë kuptuar që u desh ky shi që të afroheshin aq pranë. Fshesaret lëmojnë trotuaret e shpejtojnë të heqin gjethet nga pusetat që, të përgjumura nga vera e gjatë, tani iu kthyen zanatit të vjetër. Xhamat e makinave lëpihen nga fshirëset e gjata si qafa lejleku, shkojnë e vijnë si të çmendura sa nga njëri krah në tjetrin.
U desh ky shi që qyteti të zgjohet, që njerëzit të përmenden prej amullisë, që të dashuruarit t’i thonë “lamtumirë!” një dashurie të çmendur vere, që zogjtë të bëhen gati për shtegtimin e gjatë  e qielli të prarohet nga retë naziqe.
Eci me vjeshtën e përqafuar supeve e ndjej ndër buzë shijen e lagësht të shiut harrakat...

shtator 2011

(Marre nga "Kohe ikonash"...)










Thursday, September 8, 2011

Martin Camaj - 3 poezi


MOSPERFILLJE

Mbas mjesnate hana derdhi rrezet
prej majes së shkambit deri në lumë.
Mbasi që u ngi me gjumë
këndon qokthi ndër rreze:
sytë, dy pika uji, ndrisnin dhe kanga
pikon në luginë, në terr.

Dikush buzë lumit n’agim gjeti
sqepin e thyem të qokthit e tha:
dam! Kqyre këtë tingull që ra
e plasi në gurë.


NATA E KONCERTIT

As bora nuk asht e bardhë në këtë muzg.
Gjindja me kambë të randa vrapon
kah dritaret e tingullit.

Në sallën e koncertit edhe diktatorët
marrin vesh masën e instrumentave.

Ndëgjuesit veshë-imët mbyllën sytë
e kapën currila pullazesh të lashta,
djegie qytetesh e drush të thata.
Në tempon e dytë gzhatshëm era
përkuli grunin deri në tokë.

Në sallën e koncertit edhe dirigjenti
symbyllë s’pau tjetër pos tingujsh
të ndezun mbrenda nji rrotulle terri.


RETE E OQEANIT

Eci krahas me to
Nëpër ditën e gjatë.
Aty ku vete
Asht skaji i kohës së matun
Me rrahje zemre milionësh
Në kërkim të nji emni.

Retë me rrajë thella në det
Rriten e bahen lisa:
Ndër gryckat e tyne fantazma
Konkisdadorësh
Vjelin pemë.