Friday, June 28, 2013

Porta e poreve - poezi


                                                                Foto: R. Shpuza

Nata ulërin fytyrëçjerrë
ndër ulluqet e vajtuem
të pullazeve flirtues
që rrokullisin n’theqafje
atë kënaqësi t’përhanun.

Sa pak zgjat andrra
e askush s’ kujtohet
për portën rebele të poreve
që thithin të etuna
nektarin e sekreteve epshore...

por asgja nuk zhbahet,
anipse mbetë peng
lamtumirash solemne
për me u rikthye
as vetë s’di se kur.

(...nga libri "Anipse" R. Shpuza)

Hapat - poezi


                                                           Foto: R. Shpuza

Në trokun e belbët
që ritmon trotuaresh
me pllaka të thyeme,
kafshue dhimbshëm
prej takash t’nalta
e çizmesh t’baltosuna,
hidheni ethshëm
ndër mirakandje takimesh,
t’vonuem nguteni
ndër axhenda të shkyeme
e kur mbërrini
ndër stacione pritjesh,
shpërbaheni.

(...nga libri "Anipse" R. Shpuza)

Rozafës - poezi



                                                         Foto: R. Shpuza




Ndër kambë të blerta
ujnash që vorbullojnë
frikshëm
e ngutshëm vërshojnë
për kushedi se ku.
Ndër rrjeta t'imta peshkatarësh
që hidhen ambëlsisht
e mblidhen ethshëm në lundrën
që përkundet valësh.
Naltohen
do mure t'moçme
blatue me tamël shekullor
që pikon pa prâ
prej gjinjsh të ngurosun
ndër legjenda.

(... nga libri "Anipse" R. Shpuza)

Parmak - poezi


                                                                Foto: R. Shpuza




Mbi gjurmët e prekjeve
të dikurshme,
stivohen të rejat,
në qasje të rropamës
së hapave imcakë.

Ninulla e dërrasave
të moçme
përkund mirazhet
e shpirtrave të mekun
nga frymë t’acarta
dimnash hujli.

Njitem e ulem pa prâ
tue përkëdhelë gjurmët
e bjerruna
ndër rrënoja stinësh.

(...nga libri "Anipse" R. Shpuza )