Fappp- fappp ...
Rrahë brymen e nades nji pirajkë, që rreket me
rindezë kuqlimin e bjerrun të qylymit, birue aty-këtu prej tejet.
Fappp – fappp...
E teli ku asht varë qylymi kolovitet tue i
dredhue goditjes së radhës, teksa fiku, përqafun prej telit si gishti me unazën
e hollueme t’marteses, rrahë shuplakë gjethesh, të cilat mbasi bajnë fluturimin
e mbramë, stivohen ngeshëm mbi bordurat
e lyeme me gëlqere.
E diela ka hedhë krahëve nji shall mjegulle që
t’len me dallue veç majen e skuqun të hundës.
Asht dhetor, e bashkë me kalendarin e grinosun
prej tymit të shporetit, fashiten edhe vraga ndjesish, pengje ditësh që u
theqafën me rrapullima të trishta.
Fappp – fappp...
E thakët e qylymit krehin kindat e kujtimeve,
davaritun tasheparë n’qasje të tekave mjegullnore. Dhetori hukatë tue stivue
shpërgaj ndjesish e ndry ndër sepete mallin pagojc. Veç nji kaçamill kujtohet
me i diftue stacionet e rrugëtimit të
tij, tue derdhë argjent mbi murin e mbarsun me myshqe të moçme...
Rozafa Shpuza