Tuesday, September 29, 2015

Tamara - Album fotografik





















Gusht 2015

© Rozafa Shpuza-All Rights Reserved

Wednesday, September 23, 2015

Zgjimi i fantazmës





Në hymje të ngrehinës nderet nji strehë-shtojcë, që i përgjet strajcës që i varet kalit te bishti… Ka hije të randë kjo ngrehinë e as buzëqeshjet e do vajzave, që rrinë te hymja për me i drejtue vizitorët kah skutat ku qyqojnë rrangallat e nji epoke të mbrapshtë, nuk mbërrijnë me i shprishë mirazhet e nji fantazme që sillet papra’ në retinat e syve të gjithkujt… Arkitektët i kanë dhanë forma abstrakte barkut të ngrehihës, tue u rrekë me ia mshehë mirfilli vizitorëve qëllimin e saj.

 Zani monoton i vajzës që cicëron, shkapetet ndër stendat kabahe e rrëshqet poshtë kambëve të vizitorëve që çapiten kuturu:

- Këtu janë prodhime të kombinatit të autotraktorëve “E H”, kurse këto janë të kombinatit të teksitileve “S”. Në këtë sergjinë këtu janë copa të kombinatit “Çeliku i P”… Ato atje janë … të “Mao CD”, kurse ato ma’ndej janë… të “Drapër e Ç”.
Vajza i ka mësue përmendësh fjalët që duhet me thanë e teksa reciton “himnin e fantazmës”, i cytë vizitorët përkah skuta e errët, ku pulsojnë dritë-hijet e nji filmi badh e zi. Fotot që përcillen në atë faqe muri janë të vjetra e aty-këtu dallohen edhe shenjat e ndonji retushimi ...(eh, kjo asht krejt e kuptueshme për dikë që e ka përjetue epokën e fantazmës).

 Krejt indiferente, damkosin murin imazhet e vizitave të bujshme të liderve të komunizmit botnor; përurimet e veprave të P.; brohoritje të stisuna të nji populli mjeran; fronti demokratik e votimet “e lira”; arrijet e liderit të marrëzisë, që përlynte tribunat me jargavitje të pështira; miq sovjetikë e kinezë, që mandej u kthyen në armiq... E kësisoj, fotografitë ndjekin nervoze njena-tjetrën, pa e kuptue se mbartin, si në nji vig funebër, shkaktarët e fatkeqësisë ma ekstreme që mundet me përjetue nji popull...

Rrallëkush kujtohet se te kjo paradë që u projektue në mur, nuk u shfaq asnji nga tmerret që përjetuen shpirtnat e lirë të atyne që u pushkatuan prej fantazmës, që zgërdhihet ma triumfuese se kurrë; amanetet e atyne që u varën se thanë të vertetën; eshtnat e atyne që as sot s’kanë muranë përmbi e veç ndonji qiparis ia din ofshamën e mrame...
Vizitorët dalin tue pulitë sytë prej terrinës së asaj skute, por anipse asht shtator, streha-shtojcë nuk asht e zonja me pengue rrezet e diellit që të verbon. Nji bilbil bjen papra’, teksa polici rreket me drejtue trafikun e çoroditun...


Rozafa Shpuza

(shtator 2015)

Friday, September 18, 2015

Monday, September 14, 2015

LOREN... Album fotografik



















Modele: Loren Ujkashi
(gusht 2015)
© Rozafa Shpuza-All Rights Reserved