Tuesday, November 23, 2010

Filip Shiroka - Poezi


Shko Dallëndyshe

Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n'qytetin tim.
Shëndet prej meje të m'i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.
Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha që m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.
T'mujsha dhe un' me fluturue
dojsha dhe un' me u nisë me ty,
dojsha n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at'vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
e ti qajma fatin tim.


Nji lules së vyshkun

Lulja e bukur – këput kush të ka,
Prej shoqesh tueja – kush të paska nda?…
M’je vyshkë e thamun – lulja e shkretë
Qysh se të kanë tret

Se ti dhe unë – nda prej shoqenisë
Larg prej qytetit – tim, prej Shqiperisë
Si ti u dogja – lulja e shkretë
Në dhe t’huejin tret

Ti, në kopsht tandin – ku ke lulzue
T’ka ushqye vesa – dielli t’ka gzue
Por tash je veshkun – lulja e shkretë
Tash qi t’ka tretë!

Edh’ un, n’dhe timin – gjith i gazmue
Prindet me knaqshin – isha i lumnue
Por tash po digjem lulja e shkretë
N’dhe t’huejin tretë

Ernest Koliqi - Poezi

Shkodra në mëngjese

Këndojnë bashkë në mëngjese pesë kumbonare,
këndojnë në ajri mbi Shkodër ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Përhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat pershendetje dridhen në heshti të lete,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jete.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i holle:

skaj ne skaj si lum gzimi tue rreshqite
në syt e vashave, qeshë, e mbush me drite
kacurrelat e tyne kur shkojnë në shkolle.



Dua të shkruaj...

Nuk dua të luftoj
E urrej gjakderdhjen
...
Padrejtësi dot nuk duroj
As përbuzjen
As ndjekjen
...
Edhepse rëndë
Shumë padrejtësi ndjej
-
Nuk dua të hiqen koka
As kurrë nuk urrej
...
N'udhëkryqe interesesh
I prekur në zemër përherë
Bërtas e vuaj
...
Me dashuri dua ta ndërroj botën
Nuk heq dorë nga kjo
-
Gjithnjë e më shumë
Dua të shkruaj...
            



N'udhën time

Mund të ketë ndoj vonesë
Por mungesa kurrsesi
Sot as nesër
Askurrë
N'udhën time shekullore
Gjithçka në lëvizje
Me koordinim dashurie
Edhe këngët
Edhe vallet rrjedhin
Pandalur
Sikur sot
Deri në amshim
Përjetemot...
            



Pa humbur kohë

Le t'i mbledhim bashkë
Të gjitha legjendat nëpër shekuj
...
Le t'i hyjmë historisë
Të gjitha kronikat t'i shpalosim
Bashkë
Ta gjejmë të vërtetën udhë
Drejt fronit të dashurisë!
           

Monday, November 22, 2010

Pak Tiranë... - Foto

























Migjeni - Poezi




Malli rinuer

 

Valët muzikore flutrojnë nga perëndimi
shkrepen e përtrihen
për muret e dhomës seme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zemrën teme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini.

Ndijesitë e mija me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më therë në krahnor
edhe më merr malli për jetë ma gazmore.

Malli rinuer për jetë ma shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull perendimi
asht ngushllîm për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolín e vet aq trishtuese.

Tingujt miqëdashës që në dhomën teme
më falin rytmin
e një dansit të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çifteve të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.



Sonet pranveruer

 

Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,
n'argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

Me kangë në buzë u zgjue agimi
dhe ia këndoi kangën diellit t' art
rrezash purpure dhe jetëdhurimi
me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

Me manushaqe në buzë e me andje në zemra
vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra
dihasin aromat, që lulzimi derdhi,

me gji të paprekun, ku dashnia sosë
me fletza trandafilesh që flladi sjelli
dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë.



Një natë

 

Grue a hyjneshë, e mbështjellun n'errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës
Grue a hyjneshë m'erdhi nga gjin' i errsinës...
Qe'! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me hamnoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë..



Ekstaza pranverore


...dhe pranvera erdhi...
Nëpër ftyra tona rrëshqiti nji gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një fole,
e një jetë e bukur, e një jetë e re,
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

...dhe dallndysha erdhi...
si shpirti n'ekstazë, në hovin e shejt shtri;
me qiellën rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në hare mandej poshtë vërsulet
t'u dhurue në cicrim përshndetje një mijë.

...triumfon bylbyli...
kangëtar plot magji në gemb të trandafiles,
në një tempo të marrë përkdheljet po shfre
e kanga kumbuese, kang' e tij pa fre,
asht si kangë Orfeji ndër telat e lyrës.

...dhe vesa shkëlqen...
në një pikë t'argjent pasqyrohet jeta
tërheqse si andrra dhe si vijzatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.

... dhe pranvera erdhi...
Nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një fole
e një jetë e bukur, e një jetë e re
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.



Dy buzë

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta...
Dy buzë të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m'u njitën
andjet m'i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuene
në fund u mërguen...
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pranverë të tanë më mornë
një pjesë zemre më nxornë,
dhe gëzimin ma vodhnë...
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.






Friday, November 19, 2010

Poezi - Frederik Rreshpja

Dashuria e humbur

Dola nga guernika e kësaj nate
I vrarë egërsisht,
Kali i zi i pikëllimit
Në shtegun e vjetër më priste.

Kali i zi i pikëllimit ç’më rrëzoi
Dhe rashë si në ballada;
Gdhendur në gravurat e vjetra,
Përmbys mbi shqytin e natës.

I vrarë nga një pranverë e kotë,
Braktisur nga bota e tërë,
Vetëm kali i zi i pikëllimit vjen rrotull
Dhe qan për të zotin e vjetër.



Shiu i fundit

Trak-truk. Shi i verbër si at i poetëve
Duke kërkuar kështjellat.
Mijëra dashuri rendin nën qiellin e ultë,
Takohen dhe ndahen si vetëtimat.
Te dritarja çeli si dhembje trëndafili.

O Zot, sa lule të humbura!
Një këtu, një aty trëndafilat e vdekur.

Pikë-pikë bien shpirtrat dimërorë
Nëpër muzgun e ngjyer me ajër.

Dikur djalë i ri dhe i lumtur, e pata kuptuar
Që tërë shirat e botës binin për mua.

Por tani, pas kaq vitesh, sigurisht
Nuk ka kuptim që bie shi.



Udha e liqenit

Unë kam kaq nevojë për ty,
Më shumë se ky liqen për përrenjtë.
Se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd
Si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve.
Dhe në qoftë se ndonjëherë ikën
(mos e thuaj!),
Ashtu si ikin dhe ndërrojnë drejtim përrenjtë
(ah, mos e thuaj!),
Diku në brigjet e shpirtit tim do kumbojë
Kënga e lashtë popullore e liqeneve të tharë,
Duke imagjinuar ardhjen tënde,
si ndër legjenda,
në formën e shiut
ose formën e vesës,
mbi rërën e orëve,
bile mbi vite të tëra;
se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd,
si bien duart e shelgjeve mbi supet e valëve!



Requiem 

Noton në përrua me gjethet mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte
Dhe shtergët e fundit shkuan të ngrirë
Mbi syte e verdhë në heshtje
Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës
Lugina me hënë e lyer
Dhe drerët e erës vënë kujen në dhembje
Me brinjët prej akulli thyer
Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë
Qefini me gjethe tharë
O dimri i drerëve me brirët në erë
Kë vjeshtë të qaj më parë?



Ku ishe ti? 

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.
Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?
Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!



Ul kokën i lodhur

Më thërret një mjegull ulur diku
Mbi korijen e fjetur që premton mars
Dhe pikëllimi i dëborës me gjunj te burimi.
Mbrëmja rend drejt qiellit’
Hëna rend drejt një shtëpie resh.
O akuarel i lëvizshëm! Ti mua më thërret
Por më erdhi tepër vonë thirrja jote.
Koka ime e pabindur tek një alarm gjethesh
Që hedh përsipër dy grushta nate!