Wednesday, December 15, 2010

Fletë ditari - Rozafa Shpuza


Shtëpia e vjetër në qytetin verior prej kohësh kishte mbetur e shkretë. Hardhitë ishin kacavjerrë rrëmujshëm, sepse askush s’kujdesej më që t’i krasiste. Shermasheku në murin e lartë, që ndante oborrin nga rrugica, ishte harlisur e harabelat kishin bërë fole në kthinat e gjelbra të tij. Një shemshir në qoshe dremiste vetmitar. Kur hyri në rrugicën e ngushtë, ndjeu t’i mbështillej një ngërç në fyt. Koha kishte mbetur e ngurtësuar, ashtu si muret e larta të oborreve, si dyert e vjetra me kanate të rënda druri, si çatitë me tjegulla të kuqe, që me pjerrtësinë e tyre të ftonin në një botë kujtimesh.
Çelësi kërciti sikletshëm në derë, sikur të ankohej se ndryshku i kohës e kishte bërë të vuante. Dera u hap indiferente e gjethet dembele, të rëna përtokë, mezi u shtynë për të hapur pak vend në harkun që krijonte kanati. Ishte ndier disi përhumbshëm në atë periudhë e mendoi se një rikthim në qytetin e lindjes, në shtëpinë ku kishte kaluar fëmijërinë e rininë, do t’i bënte mirë. Monotonia e së përditshmes e kishte larguar nga e shkuara dhe e kishte futur në një vorbull të vrullshme, pa e lënë ta kthente shpesh kokën pas.
Qysh prej largimit të saj kishin ndodhur shumë gjëra, ndaj e pati të vështirë t’i mbante lotët kur u përball me fotot ndër mure. Njerëzit më të dashur të saj tani s’jetonin më, por me vështrimet e qeta që përtej fotove ata sikur i transmetonin ndjesinë e këndshme të kohëve kur kishin qenë të lumtur të gjithë bashkë e kur shtëpia kishte gumëzhitur nga zërat, të qeshurat, hapat ndër shkallët me parmakë e në çardakun me dërrasa të vjetra.
U soll nëpër shtëpi duke përpirë me sy çdo gjë e duke u kapërthyer në kujtimet e çdo skute. Kishte shumë, aq shumë kujtime, sa i dukej sikur s’ishte larguar asnjëherë prej aty, se ato kujtime e kishin ndjekur gjithmonë, por, ashtu memece, s’kishin bëzajtur deri në çastin kur ajo do t’u kthehej e të ndiente mall për to.
Biblioteka e vjetër heshtte ashtu e pluhurosur dhe librat e zverdhur nga koha i rrinin besnikë renditjes alfabetike që ajo u pati bërë me aq kujdes. Instinktivisht zgjati dorën në sergjenin më të lartë, aty ku dikur fshihte ditarin e saj. Filloi të lexonte. Shkrimi i kujdesshëm që mbushte fletët shpaloste para syve të saj ditët me aventura të rinisë e të fshehtat, që s’ia kishte treguar ende askujt. Buzëqeshi me naivitetin e asaj kohe. U përhumb mes fletëve në gjysmerrësirën e dhomës dhe vonë u kujtua të hapte grilat jeshilë, që ishin vjetruar e rënduar nga koha. Drita u fut hareshëm bashkë me cicërimat e zogjve vjeshtakë, që hallakateshin ndër blirët e moçëm të parkut përballë. Sa herë ishin hapur ato grila, jo vetëm në mëngjes për të futur dritë e ajër të pastër, por dhe në mbrëmje për të marrë vesh se kush po fishkëllente apo gjuante lehtë me guralec mbi ta. Vuri buzën në gaz. Këto ndjesi ia ripërtërinë shpirtin. U ndje e lumtur. Aroma e këndshme e blirëve e mbështolli të tërën dhe sikur e dehu.
Iu kujtuan netët pa gjumë, kur i rrëfente ditarit të fshehtat e saj. Shpesh kishte përdoruar iniciale në vend të emrave, ngaqë edhe vetes kishte pasur frikë t’ia besonte ato dalldisje ndjenjash. Inicialet shfaqeshin tekanjoze, të heshtura e plot mister në cepat e fletëve. U përqendrua te njëri, pastaj te tjetri, te tjetri... I dukej sikur po humbiste ndër një palë sy që shkëlqenin, ndër një palë buzë që flakëronin, ndër ca gishtërinj që e përkëdhelnin. A thua ishte ai që në vallëzim i ishte afruar pak më shumë dhe e kishte bërë të drithërohej? A thua ishte ai që e kishte përcjellë atë mbrëmje dhe te dera e kishte puthur tinzash? Apo ai tjetri, që i kishte shtrënguar lehtë dorën kur ishin në kinema?... Prapë buzëqeshi me vete. Ah, sa naive dhe e lumtur kishte qenë atëherë! Po tani? Mos vallë koha kishte mundur të fshinte aq shumë nga kujtesa e saj e të linte në fletët e atij ditari të vjetër veç ca iniciale memece? Hëm!... Sa të vështirë e kishte të kujtonte në këto kushte, kur as syri nuk shihte që t’i jepte ndonjë shkëndijë, as duart nuk mund të preknin e t’i jepnin një dridhje nga ngrohtësia e trupit, as buzët nuk mund të shijonin, as veshët nuk mund të dëgjonin luhatjet e zërit, mërmërimat! 
Mbylli lehtë sytë bashkë me fletët e atij ditari të vjetër, shkrimet e të cilit gati ishin fshirë nga lagështira e viteve, për t’u kthyer në kohë..., e mes tërë atyre shkronjave të zbehta e inicialesh hermetike përfytyroi imazhin perfekt të një djaloshi që vraponte drejt saj në parkun përballë shtëpisë me grila druri. Ai buzëqeshte hareshëm e afrohej me krahët hapur për ta përqafuar fort...

7 tetor 2010

1 comment:

  1. Shume e bukur. Ma shtove shume mallin per gjithkend e gjithcka qe nuk eshte me.

    ReplyDelete