(Ardës, mikes sime të paharruar...)
Tashmë jeta e
saj ishte kufizuar brenda asaj ndërtese, ku gjithçka ishte e përpiktë dhe e
paracaktuar. Muret ishin lyer me një gri të zbehtë, dyert konturonin frikshëm
korridoret që ndriçoheshin artificialisht, dritaret sikur krenoheshin se mund
të lidhnin dy botë, shtretërit radhiteshin si ushtarë të brengosur, ndërsa
infermieret e heshtura sfilonin në të bardhë ogurzezë.
Shpesh ajo i
afrohej aq shumë xhamit të dritares, saqë ai vishej nga avulli i frymëmarrjes
së saj të trazuar. I pëlqente ta shihte ashtu të mjegulluar atë pjesë të botës
që i rrokte vështrimi, ashtu të përvijuar nga forma e buzëve, e ballit, e
gishtave që ngjisheshin aq fort pas xhamit, sa shenjat mbetnin të stampuara
përçudshëm për një kohë të gjatë. Pemët e larta, parcelat simetrike të
lulishtes përballë, lulet ndër to, që çelnin e thaheshin sipas ciklit natyror,
rrugicat mes tyre e stolat me familjarët shpirtvrarë, të gjitha këto tani i
ngjallnin pasiguri, izolim, frikë. Oraret e ilaçeve, dremitja e zgjimi i zymtë,
ngrysja e zbardhja e ditëve që i zinin vendin njëra-tjetrës pa asnjë emocion, i
ngadalësonin e ngadalësonin gjithnjë e më shumë ritmin e rrahjeve të shpirtit,
i zbehnin emocionet, i ngurtësonin buzët, i venitnin shkëlqimin e syve... Kjo
ishte bota e saj, këtu i shtynte orët, ditët, javët.
Kishte çaste
kur donte t’i hidhte të gjitha pas shpine e përpiqej të kujtonte ditët e
bukura, të qeshurat, miqtë, dashuritë... I vetmi mjet që mund ta ndihmonte disi
ishte celulari. E nxirrte nga nënjastëku dhe, kur e ndiente se mund t’i
komandonte dridhjet e zërit prej ngashërimeve, bënte telefonata; kur s’ishte e
sigurt, çonte mesazhe. Harrohej për pak çaste e i dukej se kishte dalë nga një
ëndërr e keqe. Nuk donte që miqtë ta merrnin vesh se ajo ishte bërë robinjë e
asaj ndërtese të zymtë, donte që ata ta kujtonin si dikur: me atë buzëqeshjen e
dëlirë, me ecjen tipike majë takave të larta nëpër rrugët e qytetit, me
zërin kumbues dhe flokët e derdhur supeve, që i shkëlqenin nga dielli
vjeshtor... Po ai? A thua do të mundte ta ndiente nga telefoni trishtimin
e saj? A thua do ta kuptonte se asgjë s’shkonte si do të kishte dashur ajo, se
ditët e saj tashmë mund të numëroheshin me gishta? Ajo e dinte se lidhjet
shpirtërore krijojnë ndjesi të jashtëzakonshme, por ato transmetohen përmes
syve, buzëve, prekjes, ndaj si mundte ta merrte vesh ai gremisjen e saj vetëm
prej celularit?
Kishte pasur
shumë shpresë atë ditë që i kishte hipur zemërthyer avionit, se rezultatet në
ato fletë analizash që kishte marrë me vete ishin të gabuara. Por, siç treten
kokrrat e breshrit në asfaltin e lagur e humbasin rrëkeve, për të përfunduar më
pas në pusetat e errëta, ashtu kishte marrë arratinë edhe fati i saj. E tani
kishte arritur deri aty sa u shmangej pasqyrave, sepse as vetes nuk donte t’ia
tregonte atë fytyrë të shformuar nga kurat, të zbehtë nga izolimi në atë
ndërtesë të mbrapshtë dhe të përhumbur nga bashkëjetesa me ata pacientë të
destinuar për atë rrugë pa kthim.
Kishte marrë
guximin që t’i thoshte veç atij se ku ndodhej. Fjalët “jam mirë”, “vetëm për ca
analiza”, “do dal shpejt” i kishte përsëritur aq shpesh para se t’ia thoshte
atë pasdite të mugët vjeshte, saqë kishte filluar t’i besonte edhe vetë. Po,
ajo do të bëhej më mirë, do të dilte shpejt prej aty, do të shihej në pasqyrë e
do t’i buzëqeshte vetes, teksa zbukurohej për të dalë në xhiron e përnatshme në
pjacë me miket e saj. Gjithçka do të kthehej si më e parë...
Tani zgjohej
mëngjeseve me një ndjesi të çuditshme, sepse priste që nga çasti në çast të
vinte ai, ta shtrëngonte fort e ta nxirrte që aty. Shpesh e më shpesh i afrohej
xhamit të dritares e i treste sytë larg, tepër larg, në hapësirën e pafundme
mes reve, sikur donte të depërtonte ndër to e të dallonte fluturimin e
avionëve. Nuk i ulte më poshtë për të parë oborrin me bordurat e bardha që
kufizonin lulishten e zymtë, se e ndiente që ai do të vinte e ajo do të
fluturonte nga gëzimi, do ta përqafonte me mall e do ta hidhte pas shpine
gjithë atë skëterrë që ndodhej këtej xhamit.
Eh..., xhami
vazhdonte të mjegullohej nga frymëmarrja e trazuar, buzët zbeheshin përditë e
më frikshëm, sytë e djerrnin shkëlqimin çdo orë e më tepër, gishtat ngjisheshin
nervozë në atë sipërfaqe të qelqtë, ndërsa qiejt e shpupuritnin herë pas here
qetësinë nga zogjtë shtegtarë, që merrnin turravrapin për në vendet e ngrohta.
8 dhjetor 2010
Rozafa, shume e prekese. Ne momente dobesie apo deshperimi them : What the heck with life, if I happen to be ill, I'll just give in !
ReplyDeletePo duke te lexu...actually I'm crying ! Bravo !
Irma