Wednesday, January 19, 2011

Shuhet ngadalë... - Rozafa Shpuza

Shiu në atë qytet bie me marri e nuk merr parasysh asgjë, veçse derdh pikat e nervozuara, që bien rrëmujshëm ndër pellgje, duke u kacafytur me njëra-tjetrën ndër pragje pusetash, ku të pashpresa i binden theqafjes fatale. Gjithçka i nënshtrohet kësaj kapriçoje të shiut, edhe pullazet me tjegulla të kuqe, të cilat duhen ndërruar vende-vende çdo fillim vjeshte, edhe rrugicat e ngushta dredharake, banorët e të cilave kujdesen aq shumë për ulluqet, edhe parqet gjelbëroshe, që mbeten të zbrazëta, sepse askush s’ulet më në stolat e lagur.
Kanatat e dritares së saj binin mbi një prej parqeve më të bukura të qytetit. Ishte fat ta kishe shtëpinë pranë atij parku, se përtej grilave dembele të shfaqej një pamje që të joshte e të qetësonte njëkohësisht. Nga hapësira që formohej prej hapjes së grilave mund të futeshe në një botë përrallash, ku kishte edhe cicërima, edhe psherëtima, edhe rënie gjethesh, edhe puthje të fshehta.
Atë pasdite e kishte lënë të takohej me disa mike të sajat për një kafe. Kishte inat kur shkonte vonë në takim, por në çastin e fundit s’kishte vendosur dot nëse ishte më mirë të vishte këpucët apo çizmet. Ah, ky shiu, e ka edhe këtë të keqe, të lag e hajde thahu pastaj!
Të përfshira nga një bisedë e ndezur, vajzat s’e vunë re fare kur ajo u ul në tavolinë. Secila mundohej të tregonte histori të ndryshme për të mbështetur mendimin e vet nëse “dashuria shuhet ngadalë”, shprehje e përdorur nga njëra prej tyre gjatë një rrëfimi dashurie. Eh, edhe këtë kishte mangët në atë ditë të mërzitshme me shi! Një bisedë e tillë do ta bënte të rikujtonte tërë psherëtimat e saj, ndaj thuajse qëndroi indiferente. Nuk kishte dëshirë të thoshte postulate që as vetë s’i besonte. Secila kishte të fshehtat e veta dhe ishte e kotë të debatohej për të gjetur një të mesme të artë, për më tepër që asnjëra prej historive të dashurisë nuk ngjet me tjetrën.
Kur doli, shiu dukej më i shtruar. Çadra e lagur tani i gëzohej përkëdheljes së pikave çapkëne. E kishin futur në mendime diskutimet e mikeve të saj, se asnjëherë s’e kishte menduar nëse dashuria shuhet ngadalë apo secili detyrohet ta fshehë diku thellë për ta harruar ngadalë e për t’i lejuar vetes hapësira për një dashuri të re.
Nxitoi hapat që u pllaquritën zhurmshëm në pellgjet e rrugës. Kishte kohë që s’kishte rrëmuar në sirtarin e saj e sonte ndiente mall t’u kthehej atyre fletëve të zverdhura. Në sirtar mbizotëronte rrëmuja e misteri. Aty gjendeshin të hedhura shkujdesshëm letra, foto, kartolina, pusulla... Te secila ajo e dinte mirë se mund të gjente një histori, një personazh, një përkëdhelje, një puthje, një lamtumirë. Mes gjithë atyre kujtimeve, të etura për pak vëmendje e mirësi, gishtat kapën instinktivisht një zarf pak më të madh se të zakonshmit.
Pullat e postës, ashtu të heshtura, patën magjinë e nevojshme për t’i bërë gishtat e saj të dridheshin. E hapi me kujdes e me një fije shprese se ndoshta këtë herë do të gjente diçka tjetër brenda tij, por prej aty nxori veç një tufë letrash të lidhura me një fjongo. Kur e pati hapur për herë të parë atë zarf, gati sa s’kishte fluturuar nga gëzimi e ishte marrë fryma nga emocioni, por tani nuk kishte as kureshtje t’i lexonte më ato letra. Sa e trishtueshme! Misterin që kanë zarfet që njerëzit e malluar në të gjithë botën i presin me padurim, nuk e kishte ky zarf me madhësi jo të zakonshme. Si mund të kishte mister një zarf i ardhur nga një vend i largët, ku ajo s’kishte qenë kurrë, që në vend të letrës së dërguesit kishte brenda vetëm letrat e saj, të shkruara me aq ndjenjë e emocion?!
Iu kujtuan ca vargje që i pati shkruar një mik i saj poet: “Në fillim kohëndarjen prej tij / ajo e kishte matur me sekonda,/ pastaj me minuta, me orë, me perëndimet e diellit./ Tashti, ngarkuar me një vandak të skeletosur kujtimesh,/ ajo mund të numëronte hapat e fundit, drejt harrimit”. Për një kohë të gjatë atë e kishte mbajtur shpresa e vakët se letrat kishin humbur rrugës, se ai kishte ndryshuar adresë, se dikur ai do të gjente kohë t’i shkruante e t’i shpjegonte arsyet e heshtjes së tij të gjatë.  Por jo. Pas shumë muajsh ai vetëm kishte mbledhur letrat e saj, i kishte lidhur me një fjongo (ajo s’dinte t’ia shpjegonte as vetes këtë detaj romantik) e mbi atë zarf me format jo të zakonshëm kishte shkruar ftohtë veç adresën e saj dhe e kishte hedhur në kutinë e postës. Asaj i pëlqente të mendonte se ai s’kishte qenë krejt indiferent para kutisë së postës, po ç’rëndësi kishte tashmë kjo gjë.
Psherëtiu thellë, ndërsa shiu vazhdonte të shpërlante grilat e drunjta. Kjo histori, me gjithë përkushtimin e saj, dridhjet e gishtave apo lotët e derdhur, s’mund të hynte te dashuritë që “shuhen ngadalë”, për të cilat miket e saj kishin diskutuar me aq pasion. Kjo dashuri nuk ishte ndezur asnjëherë, prandaj s’kishte se si shuhej...

Tiranë, më 22 tetor 2010

1 comment:

  1. Sapo e lexova me erdhi ne mend nje thenie te nje tipi qe tani nuk po ia mbaj mend emrin :) "Nje mize rron nje dite, nje trendafil rron tre dite, nje mace 13 vjet dhe nje dashuri 3. Ne vitin e pare pasion, ne te dytin butesi dhe i treti eshte nje vit i merzitshem"...ne fakt shuhet ngadale :), por kjo eshte tjeter ceshtje diskutimi.
    Pjesa qe me pelqeu shume ishte "...i kishte lidhur me një fjongo (ajo s’dinte t’ia shpjegonte as vetes këtë detaj romantik)" Ja ku u pershkrua ndergjegja e piset qe pastrohet varfer nga nje mashkull :). Dhe ne fund me pelqen ta imagjonj heroinen tone si një femer “me atribute” e cila nuk vuan vrarje ndergjegje por vetem pak keqardhje (shiu vec uje qe te lag grilat eshte) ... "dashuria qe nuk ishte ndezur asnjëherë nuk kish se si te shuhej"...Shume e bukur Roze!

    ReplyDelete