Tuesday, March 1, 2011

Magji në ajër - Rozafa Shpuza



Rruga për në aeroport mezi shquhej nga shiu i çmendur që binte atë ditë. Avionët uleshin në pistë pasi kishin bërë ca sorollatje në ajër, tamam si skifterët grabitqarë kur u sillen rrotull preve për t’i çorientuar, e pastaj ndaleshin me zhurmë shurdhuese, duke u munduar të respektonin sinjalet, që mezi shquheshin.
Salla e pritjes së pasagjerëve gumëzhinte nga altoparlantët llafazanë. Hodhi njëherë vështrimin  rrotull me shpresë se do njihte ndokënd, por sytë i zunë veç të panjohur dhe stjuardesa elegante, të veshura me kostumet e kompanive që përfaqësonin. Mori një kafe sa për të mbledhur pak veten e ndenji e heshtur duke parë jashtë xhamave, që qaraviteshin nga pikat nervoze të shiut. Po e acaronte ajo pritje e ankthtë, ndaj u gëzua kur më në fund dëgjoi njoftimin për fluturimin e saj, dhe kjo ishte hera e vetme që e pa altoparlantin pa mëri.
Autobusi ndali fare pranë derës që pasagjerët të mos lageshin, por asnjëri nuk mundi t’i shpëtonte furisë së tij teksa hipnin në shkallën e varur të avionit. Kishte njëfarë shprese se vendin do ta kishte afër dritares, por u mërzit kur pa të ulur aty një djalë zeshkan, që po lexonte indiferent një revistë. Sikur të ishte pak xhentil, mund edhe t’ia lironte karrigen, por aha, atij i mjaftoi vetëm një buzëqeshje e lehtë dhe vazhdoi i qetë leximin.
Pasi vuri çantën në sergjenin sipër, u ul pa qejf në karrige. Grija jashtë dritares me xham pak të mjegulluar i ngjallte frikë. Për inerci zgjati dorën dhe mori revistën që ishte në shpinë të karriges përpara, por u mjaftua vetëm me fotot se s’arriti të lexonte asnjë rresht . Bashkudhëtari që kishte në krah s’i shqiste sytë nga revista e s’i jepte asnjë shenjë për ndonjë bashkëbisedim të mundshëm. Uf, ku dreqin i kishte qëlluar të ulej me këtë tip?! Stjuardesa bënte ca shenja memece, që ajo i ndiqte e pavëmendshme derisa u dëgjua lajmërimi për vendosjen e rripave të sigurimit. E pati pak të vështirë ta fiksonte atë rrip, ndryshe nga djali indiferent, që e bëri krejt lehtësisht atë veprim me dorën e majtë, ç’ka e bëri të dyshonte se mund të ishte mëngjarash. Ai kishte vendosur dorën e djathtë në krahun e përbashkët mes dy karrigeve, a thua se ai vend i përkiste veç atij, çka e bëri ta merrte edhe më shumë inat.
Teksa avioni filloi të lëvizte, nga frika ajo shtrëngoi fort krahët e karriges së saj, pa e kuptuar se po shtrëngonte edhe dorën e djalit që i rrinte përbri. Këtë e vuri re vetëm pasi dridhjet e avionit u qetësuan dhe ajo sikur u çlirua pak nga ai ngërç që e pati pushtuar pak më parë. Iu desh të largonte me marifet gishtërinjtë që aty, por vuri re me inat se atij s’i bëri fare përshtypje kjo gjë. Tani ai e kishte lënë revistën e po shihte nga dritarja pamjet e fundit që u ofroheshin para se të zhyteshin ndër re. Siç duket, ai e kuptoi interesimin e saj dhe u hoq mënjanë që ta lejonte edhe atë të shihte. Kjo sikur e ngrohu pak vajzën, prandaj i buzëqeshi në shenjë falënderimi.
Gjithçka do të kishte shkuar normal, si në të gjitha udhëtimet e zakonshme ajrore, sikur nga koha e keqe të mos krijoheshin ca boshllëqe ajri, të cilat e detyronin atë mjet metalik të humbiste qetësinë e të binte i pafuqishëm ndër ato humnera të pacak, për t’u ngritur prapë me mundim e për të vazhduar fluturimin mes reve të murrme. Xhami i trashë i dritares vezake tani pasqyronte veç shkreptimat e rrufeve, që i ngjallnin një ndjenjë tmerri, prandaj herë pas here shtrëngonte fort krahët e karriges. Dora e djalit s’kishte lëvizur për asnjë çast që aty dhe ajo krijoi përshtypjen se ai e kishte kuptuar frikën e saj e donte ta ndihmonte pa i rënë në sy.
Ndërkohë ata ishin prezantuar, ftohtësia e fillimit ishte shkrirë disi e tani kjo prekje po i jepte asaj një ndjesi të çuditshme. Dritat e vetëtimave vazhdonin të reflektoheshin në xhamin e dritares, por ngrohtësia që i përcillej përmes gishtërinjve ia hiqte si me magji çdo ankth e i krijonte një lloj afshi që e bëri të skuqej. U mundua ta shihte djalin me bisht të syrit, por ai kishte humbur në reflekset e vetëtimave. Ndjeu dëshirën të mbyllte sytë e ta linte veten të pushtohej nga ajo ndjesi, që me sa dukej ndodhte veç kur fluturoje. Dora kishte filluar t’i djersitej, por as i shkonte ndër mend ta largonte që aty. Tani as theqafjet ajrore të avionit, as pasthirrmat alarmuese të pasagjerëve, as altoparlantët e varur që mundoheshin të qetësonin sadopak situatën, nuk i bënin më përshtypje. Magjia e asaj dore e kishte futur në një botë ëndrrash, nga e cila e zgjoi veç një zë metalik, që lajmëronte se avioni po ulej.
Teksa pasagjerët filluan të zbrisnin, ajo ndjeu sikur u ftoh përbrenda kur iu desh të ndahej nga ajo prekje magjike dhe mbeti si e ngrirë në pritje të asaj që do të ndodhte. Por ai, krejt i qetë, me të njëjtën lehtësi që kishte vënë rripin e sigurimit në fillim të udhëtimit,  largoi me kujdes, me ndihmën e dorës së majtë, atë dorë që asaj i kishte dhënë atë pështjellim të mrekullueshëm ndjenjash, dhe e futi në xhepin e xhaketës. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ai e përshëndeti miqësisht bashkudhëtaren dhe u largua mes turmës së pasagjerëve, tashmë të rralluar.
Tiranë, më 10 nëntor 2010






No comments:

Post a Comment