Monday, March 28, 2011

Mirazh - Rozafa Shpuza



Do ta harronte…, do ta fshinte nga kujtesa…, do ta vazhdonte jetën pa praninë e tij… Bëri shumë premtime atë ditë teksa çapitej zbathur në rërën e lagur të plazhit, ku valët përplaseshin me atë ritmin e tyre të çrregullt dhe melodinë mërmëritëse. Gjurmët e hapave fshiheshin nga valët pak çaste pasi ishin formuar e të dukej sikur atë ditë ato e kishin marrë seriozisht atë detyrë. Kthente shpesh kokën pas e mendonte me vete se sa thjesht do të ishte sikur edhe ajo të mund të fshinte ashtu gjurmët që i kishte lënë ai në shpirt. Lotët ndër sy ia dyzonin herë pas here pamjen, por asgjë tjetër s’ndryshonte në atë reliev të ndarë në të kaltrën e detit e në grinë e rërës. Ishte i lashtë ai reliev, që kur ishte krijuar bota, por deti e toka vazhdonin të qëndronin pranë, me batica e zbatica, por gjithsesi të pandarë. Ah, sikur edhe njerëzit të mundnin të rrinin ashtu bashkë, me dashuritë e zënkat, por pa këto ndarje të trishtueshme e pa psherëtima!
Para saj dalloi siluetat e ca fëmijëve që ishin ulur buzë ujit dhe po bënin një kala prej rëre. U ndal për pak çaste t’i shihte tek mundoheshin të merrnin sa më shumë rërë me gishtat e tyre të hollë e të lartësonin muret delikate. Iu duk krejt i pakuptimtë ai veprim, se rëra prapë rrëshqiste, ose gjithçka shkatërrohej papritur nga ndonjë dallgë çapkëne. Vazhdoi të ecte e të linte gjurmë në rërë, por edhe valët vazhdonin t’i fshinin ato pa u lodhur fare, siç veprojnë fshesaret me gjethet e vjeshtës.
Nuk arrinte ta urrente, por përpiqej mundimshëm të fundoste gjithçka të tijën: shijen e puthjeve, prekjet e ngrohta të gishtërinjve, shikimet epshndjellëse, që edhe tani e bënin të dridhej. Dielli lëshonte një nxehtësi përvëluese, por ajo ishte akull përbrenda. Rëra e gërricte në shputat e këmbëve, valët ia ledhatonin lehtë ato, por asgjë s’mundi t’i sillte qetësinë e ta bënte të merrte frymë pa brengë.
Vija e valëzuar mes detit dhe rërës sikur e tërhiqte e ajo ecte në atë kufi si somnambul, pa e kuptuar se ishte larguar shumë, ashtu e përhumbur nën ritmin e melodisë mërmëritëse të valëve. Klithjet e pulëbardhave e përmendnin nganjëherë, por ajo përsëri përhumbej në oazin e kujtimeve e vazhdonte të çapitej ngadalë, pa lënë gjurmë nga pas, sepse ato zhdukeshin mistershëm nga valët shkumëbardha. Qielli me detin ishin bërë një e horizonti mezi dallohej. Rrezet përvëluese të diellit përpinin vrullshëm atë sipërfaqe të njelmët sikur mezi prisnin të shuanin etjen.
Kur ja, atje mes shkumës së bardhë të dallgëve dhe rërës që përkëdhelej prej tyre dalloi diçka. Fërkoi sytë e përlotur për t’u siguruar se s’po shihte ëndërr, por pamja që kishte përballë s’ndryshoi. Ai ishte atje, disa hapa larg saj, në hapësirën e përvijuar mes detit dhe rërës, pa gjurmë hapash pas, i veshur me tisin e kaltër të detit, që me sa dukej kishte hyrë ndërmjetës për të pajtuar shpirtrat e tyre të trazuar. Frymëmarrja iu shpeshtua. Nxitoi hapat, që tashmë s’patën kohë të fshiheshin më nga valët. Harroi zënkat, lotët, premtimet që kishte bërë pak më parë, u la udhë të lirë ndjesive të ëmbla, që deri atëherë i kishte shtyrë me nerv drejt kthinave të errëta të harresës, dhe eci, vrapoi, gati sa s’fluturoi drejt atij, që i buzëqeshte atje tej. Zgjati krahët e buzët iu përflakën. Por ç’po ndodhte? Ajo shpejtonte hapat që ta përqafonte, por pamja e tij largohej, shformohej e mbulohej me tisin e kaltër të detit. Puliti prapë sytë, që tashmë s’kishin më gjurmë lotësh. Përsëri hodhi hapa të shkujdesur, përsëri u përhumb, përsëri u bë akull. Valët vazhdonin të mërmëritnin atë melodinë e tyre të vjetër, rrezet përvëluese të diellit vazhdonin të derdheshin të etura në det, pulëbardhat klithnin duke zhytur sqepin e tyre në sipërfaqen blu, ndërsa mirazhi i krijuar u zhduk bashkë me flladin e kripur që filloi të frynte...

Tiranë, më 24 nëntor 2010

No comments:

Post a Comment