Wednesday, May 25, 2011

Frederik Rreshpja - Poezi











Ku ishe ti?

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?
Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

Përgjithmonë

O ajr i mbrëmjes mbështillme, erdhi ora të vdes përsëri.
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në sterë.
Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.
Une kam qenë trishtimi i botës.
O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.

Ul kokën i lodhur

Më thërret një mjegull ulur diku
Mbi korijen e fjetur që premton mars
Dhe pikëllimi i dëborës me gjunj te burimi.
Mbrëmja rend drejt qiellit’
Hëna rend drejt një shtëpie resh.
O akuarel i lëvizshëm! Ti mua më thërret
Por më erdhi tepër vonë thirrja jote.
Koka ime e pabindur tek një alarm gjethesh
Që hedh përsipër dy grushta nate!

No comments:

Post a Comment