Tuesday, May 3, 2011

Miq apo armiq - Rozafa Shpuza





      Instinktivisht gishtat më kapën atë letër me format të ndryshëm nga të tjerat, ku spikaste një shkrim i imët e i rrumbullakosur. Nisa të lexoja me kureshtjen naive të njerëzve për gjërat e fshehura, edhe pse e dija se ajo s’kishte të bënte fare me impenjimet e asaj dite të lodhshme:
    “Do të mbetemi miq të mirë”, - kështu më the atë natë kur u ndamë pa u puthur si zakonisht. Qysh atëherë jam bërë si fëmijë e i numëroj me gishta ditët që më ke munguar, që s'kemi folur, s’kemi qeshur, ditët kur ti, me të gjitha mënyrat, më ke shtyrë me takt që të të mos afrohem. Sot u kujtova se janë bërë shumë e u lëndova nga ky konstatim, por edhe u lehtësova, sepse më në fund e gjeta “forcën” që të largohem nga ti.
   E mban mend kur provuam që ta hiqnim majin nga kalendari, se kishte shumë tërheqje mes nesh e frikësoheshim se ku do të na përplaste dallga e dashurisë? Tash erdhi tamam çasti që ta bëjmë këtë, por në kahun e zbaticës së detit veç, duke u shtyrë me forcë nga bregu, që na bashkonte. Kushedi edhe sa çaste, orë, ditë, muaj do të vazhdojmë të mohojmë e në fund do të ndihemi të ftohtë, të huaj, të parëndësishëm për njëri-tjetrin. E mbetur vetëm në këtë breg, pa tërheqjen tënde, ashtu e trishtuar dhe e braktisur, u lodha duke vrarë mendjen që të zbuloja pse vendose të më largoje nga vetja, por s’e gjeta dot. E vura shpesh zemrën në provë, por përherë arrita në përfundimin se nuk jam penduar për asgjë, vetëm kur të kam urryer fort në çastet që s’ma ktheve dashurinë që të dhurova e mbeta e ngrirë si akull pas shpinës sate, me duart të kryqëzuara në gjoks e me buzët e mpira te qafa jote.
   Sot komunikuam virtualisht si miq e unë u përmbajta që të mos shkruaja në fund të mesazhit “të puth”, por vetëm “të përqafoj”, dhe kjo më dhembi fort, por arsyetova se kështu duhet e unë s'kam pse kërkoj diçka që s’më takon. E sheh se tani kam filluar të të përshtatem e të sillem me ty si me një mik të mirë? Por ti s’e di sa e vështirë është të të fus te kategoria e miqve, sepse ti ke qenë për mua te kategoria e njerëzve pa grupim, të përveçëm, të pazëvendësueshëm. Shpesh më mbytin lotët e vetja më duket e vogël dhe e pavlerë kur rri e përgjoj telefonin apo vrapoj tek ekrani i kompjuterit mos gjej ndonjë mesazh tëndin. Heshtja që buron prej tyre më bën të hakmerrem ndaj teje, që je armiku im më i madh, ndaj teje, që më bëre të arsyetoj, duke e ditur mirë se në dashuri s’ka vend për arsyetime. Po ti më thua se ne do të mbetemi miq të mirë e unë nuk kam forcë të të largoj nga vetja e të të humbas. Trupat tanë duhet të rrinë pranë pa arritur të tërhiqen plotësisht...
   -
Më falni, profesor! - më ndërpreu zëri i mekur i një studenteje simpatike, që rrinte përballë meje, ngjitur me tavolinën ku ishin shpërndarë fletët e provimeve që duhej të korrigjoja atë pasdite. Sytë iu pulitën lehtë dhe fjalët sikur i ngecën ndër buzët e plota kur përqendroi vështrimin te duart e mia.
   -
Ju kam dorëzuar diçka gabim, - pëshpëriti dhe mbeti e ngrirë dhe lotët ishin gati t’i rridhnin ndër faqe.
   I zgjata mekanikisht letrën e papërfunduar dhe vazhdova krejt pa qejf të lexoja provimin e saj:
“Zbulimi më i madh i Njutonit është në të kuptuarit se forca që shkakton rënien e mollës dhe ajo që mundëson lëvizjen e Hënës rreth Tokës, paraqesin manifestime të ndryshme të një force të njëjtë. Forma e tij është nxjerrë nga një përfundim logjik, sipas të cilit të gjithë trupat tërhiqen reciprokisht...”    
Dola vonë nga fakulteti, me mendime të ngatërruara rreth ligjit të Njutonit dhe enigmës në do të arrite studentja ime të bëhej mike me ish-të dashurin e saj.

Tiranë, më 3 maj 2001


2 comments:

  1. ..."kur të kam urryer fort". Jo, asnjëherë. As një dashuni e tradhëtueme, aq ma pak njëdashuni e mungueme, duhet të kthehen në urrejtje. Duhet të ndahemi nga kjo fjalë, "urrejtje". Asht në kontrast me natyrën njerëzore.

    ReplyDelete
  2. Z. Gazulli, une mendoj se dashuria e urrejtja jane dy gjera qe bashkejetojne, e kjo lloj urrejtjeje qe ka antonim dashurine eshte ne permasa te tilla qe arrin t'i beje keq vetem atij qe lendohet nga humbja e dashurise.
    Ju falenderoj qe vizitoni "Dromcat..." e mia letrare!

    ReplyDelete