Wednesday, June 8, 2011

Migjeni - Të fala nga fshati

 
Letër mikut Tefik nga Migjeni

(fragment...)

  Tue ndjekë shëtinë, marr drejtimin kah jugu, ka një largësi 7-8 km shof Shkodrën, të mshtjellun në një tym të kaltër. Sa dëshira të flakta ushqej për kët qytet! Dëshirat e mia janë shumë – shumë ma të sinqerta e ma të mëdhanja se dëshira që pat perëndia kurse krijoi botën. Shkodra, dashunorja e shekujve! Shkodra, Shkodra, dashunorja e qiellit të kaltër! Shkodra, Shkodra, dashunorja e maleve të hjedhta, lumenjve të cemtë e liqenit andërrtar, në të cilin – në mëngjese të kullueta – lan hijen e vet. Shkodra një atitude shprehjeje... një fjale e cila përmban gjith nostalgjinë e ditëve të fikuna. Këtu në kët largësi, ndiej damarët e saj që rrahin, rrahin e rrahin... edhe, sikur mjeku që tharpton ftyrën n’idhnim, tue pa se pulsi i dashnores seme nuk rreh siç duhet. Rreh: dy herë, një herë, pesë herë, dy herë, tetë herë, dhjetë herë, tridhet herë në sekondë! Pushon përsëri: një herë, katër herë, gjysëm herë! Tue rreshtue këto të rrahuna fshana: pse nuk jam një pontifeks maximus, një papë ose një patrik të hudhi mallkimin e plotë, t’anatemizoj sëmundjen epidemike bashkë me shkaktarin e saj! Por, me habi syt më ndjekshin një dallndyshë, e cila, për të zanë sa ma shumë miza, stërhollonte gjithfarë lëvizjesh, akrobatike tue rrëshqitë nëpër ajër, e mue më shkoi mendja se Shkodra, Ballkani, Europa, Bota mbarë asht sëmurë prej këti akrobacioni dallndyshuer. Besova se dhe kjo dallndyshë do thejë qafën në këto akrobacione, por atë e kish falë perëndia ma të shkathtë për jetë: pa psue asnjë dhimbje kreje, u ngop me miza!
  Sjellem nga perëndimi, shkas barin e njomë; e do mendime plot sarkazmë, t’idhta më turbullojnë kryet. Përqark, natyra në gjelbërim më ngjan si një koketë e burdelit, e veshun në një dekolte pikante. Liqeni me prralla të marra të “Një mijë e një natës”, malet me një heshtje qesharake, e mbi këto dielli i vjetër, dielli një mijë, pesë mijë, dhetë mijë e kushedi sa vjet i motçëm. Jo, jo, dielli, nuk pajtohem me ty, pajtohem me të që ushqej tashti asht dëshira me ju ngërdheshë, me iu dëftue gjuhën këtij dielli, që aq indiferent prendon prapa maleve.
  Nisem kah shtëpiat e fshatit, i cili asht në masmarrëveshje të plotë me qiellin. Për mbramen herë shof Shkodrën, i dëshroj “natën e mirë” dhe i dërgoj një të puthun n’ajër.
Shumë të fala
M.

No comments:

Post a Comment