Kanë kaluar shumë kohë qysh atëherë. Aq shumë kaluan, sa unë harrova të numëroj gjethet që ranë, shirat që u derdhën, qiejt që u ngrysën, borërat që u shkrinë. Të gjitha u harruan e të vetmet që mbetën janë fjalët që thamë. E ashtu, krejt indiferente, ato me kokëfortësi vazhdojnë të nxijnë mbi fletët e bardha. Fjalë, fjalë, sa shumë fjalë të kërrusura nga emocionet, lotët, malli, premtimet. I perceptuam ato fjalë, i shkruam, i ndjemë e ato na krijuan mijëra përkëdhelje shpirti, mijëra fantazi rrebele, mijëra epshe të zjarrta, kurse tani kanë mbetur krejt të braktisura mbi këtë ekran të lëmuar e memec.
- Sa bukur shkruan!
- I ndjej fjalët, prandaj të duken të bukura.
Sa shumë fjalë, sa shumë!!! Secila ka peshë, por ashtu të bashkuara ndër fjali janë të parezistueshme. Mund të kapërcejnë dete me tallaz e të të sjellin paqe, të fluturojnë si pulëbardhat e të të sjellin dëlirësinë, të enden si fluturat e brishta e të të sjellin delikatesën, të puliten ndër qepalla e të të sjellin joshjen e flladeve, të të godasin në zemër e ti të çmendesh prej dalldive të shpirtit. I kam të gjitha këto fjalë, i kam të miat, më kushtohen vetëm mua, unë jam protagonistja e kësaj kryevepre me kaq shumë akte... Por nuk të kam ty. A thua kanë vlerë fjalët pa ty? E si mund të kenë? Po ti, a mund të ekzistosh pa këto fjalë? Kurrsesi. Ti pa këto fjalë do ishe i huaj, do ishe i ftohtë, i zakonshëm, siç mund të jetë dikush që e kam takuar rastësisht në rrugë.
Sillem ndër këto fjalë e s’i gris dot si fletët keqeshkronje, s’i hedh dot si diçka të konsumuar që s’më duhet më, s’i fshij dot me gomë siç bëjnë fëmijët me vizatimet e tyre. Ç’të bëj? Janë aq shumë e kanë përpirë në thellësinë e tyre ditë me diell e të qeshura të hareshme, rrëke shiu e djegie nga malli, akullsi kristalesh bore e ngrohtësi shpirti. Ti je larguar e ke lënë pas kaq shumë, ke lënë pas një jetë, që përpëlitet e trazuar mes këtyre fjalëve. Ndoshta atëherë ramë në kurthin e baticave lajkatare e s’deshëm t’ia dinim për zbaticat idhnake.
I kam marrë inat fjalët. Dikur ato na joshën me magjinë e sirenave, por ne s’e patëm forcën e Odisesë që të lidheshim pas direkut të anijes e të përballonim tundimin. Na pëlqeu ajo melodi fjalësh e u marrosëm pas tyre. Tani ato zezojnë ndër fletët e bardha e sikur e kanë humbur ritmin.
- Më ktheni edhe një herë prologun, ju lutem!
- Ne mund të të ofrojmë veç epilogun. Këto janë rregullat tona, – më përgjigjen fjalët krejt të pacenuara nga lutjet e mia.
I trembesha përherë këtij epilogu e doja që ai të mos vinte kurrë. Por rregullat e fjalëve janë strikte e s’të lenë të hallakatesh ndër to si të të dojë qejfi. Çdo prolog ka edhe epilogun e tij, kjo është e pandryshueshme, e përjetshme. Ah që s’i duroj fare rregullat! As gjërat strikte! Sa inat i kam marrë fjalët. Por pa to s’do të mund të bëja dot asgjë. Pa to s’do të të njihja as ty. Pa to do belbëzoja pa mundur t’i shpreh emocionet, pa mundur të nxjerr jashtë dufin, pa mundur të të doja e të të urreja.
A thua do të frikësohen fjalët nga inatet e mia e do të më braktisin? Po edhe nëse s’më braktisin, a do mund të shkruaj më fjalë kur s’kam kujt t’ia drejtoj? Si mbeta kështu mes fjalësh e imazhit tënd, pa mundur të kuptoj se kë doje më shumë, fjalët që të thashë apo mua...
5 tetor 2011
No comments:
Post a Comment