Wednesday, October 26, 2011

Vargje nga poetë shkodranë (2)

Vjeshtë

T’lodhuna nga lufta e verës
Gjinkallat nënshkruen armëpushimin
E kanga e tyne
... Asht hjekë vitrinash.

Shall i verdh’ asht rruga
Posht' pemëve të zhveshuna
Që qetsisht shofin vedin
N’ pasqyra gjethesh të rrzueme.

Dikush, mbas xhamit t’errët
Përgjon shiun e radhës
E din se nuk ka vend tjetër
Ku me msheh lotin e idhtë.

Kaq afër fjalëve që përbajnë thelbin tand
Edhe syt’ e verbt’ i shofin ngjyrat.
 
Leon Lekaj



Pa titull

 

eci me diell n`kërthizë n`pak dhè e shumë ujna e pëllambët  shtrij n`pritje
përmbi m’këputen lule e lshohem zhdukem n’ujna e tretem tretem tretem
e frymë ma nuk marr e frymë s’ka kurrkund n’pak dhè eci e n’shumë ujna
mbuloj diellin praj frymën e prekem prekem prekem gishtash t’hapun
me krena t’zatetuna posa lulesh me pa a jam a pak dheut e shumë ujnash
endi veç frymën e bartun ç`prej s`dihet kur

Ledia Dushi

 

  

Rrugës

 

Andrrat puthin themren e dritës,
bahen puthje e ikjes,
hije antike
e asaj që u derdh syve,
u shkru pelhurës së mendjes
e vijave në dorë.
Pa pasë nji autor
as hero dhe as fajtor.

Përmallshem sot eci asaj rruge
Që hapi pranvera.
E gjithçka që nuk isha
e gjeta në pritjen tande
e gjithçka që ti pritshe
u mundova me ken.

Asgja prej asaj që mbeti jashtë
nuk iku pa u dashtë.


Klodian Kojashi




No comments:

Post a Comment