Më ndodh shpesh me
mbetë në zgrip bordurash, në mëdyshje për hapin që duhet me hedhë në asfaltin e
përvëluem prej zhegut memec.
Tuj kenë ma nalt se rruga, bordura ma nep njëfarë sigurie. Drita e verdhë e semaforit rreket me m’joshë, ashtu e strukun ndërmjet dy bojnash kundërshtare, por e kam t`pamujtun me parashikue se, mbas atij pulsimi tinzar, asht rradha e të kuqes apo jeshiles. Boritë nervoze të makinave ma shtojnë ankthin, por bordura asht mikpritëse e nuk më gjykon për pasigurinë teme.
Tuj kenë ma nalt se rruga, bordura ma nep njëfarë sigurie. Drita e verdhë e semaforit rreket me m’joshë, ashtu e strukun ndërmjet dy bojnash kundërshtare, por e kam t`pamujtun me parashikue se, mbas atij pulsimi tinzar, asht rradha e të kuqes apo jeshiles. Boritë nervoze të makinave ma shtojnë ankthin, por bordura asht mikpritëse e nuk më gjykon për pasigurinë teme.
Kalimtarët përbri
mejet ndoshta nuk e kanë këtë dilemë bordurash e nuk dojnë me ditë për rregullat e
semaforit të zbehtë që lodhet me sfidu diellin e mesditës.
Nji polic në mes të
udhëkryqit ka ulë kapelen mbi sy e lëviz duert si me kenë personazh i filmave
vizatimorë. Prejse isha e përqendrume te ndërrimi i dritave, nuk e kam vu re ma
parë se si ai i përmbys rregullat e semaforit pa kurrfarë arsyjet. Prej mënyrës
se si kapardiset vehet re qartazi se kjo gja e ban me u ndi krenar. Kush e di
se si i duket vedi që urdhnon dhjetna makina vetëm me një të lëvizun
doret!
Eh, edhe delirin e
policit kam mangut në këtë zheg, kur ngutem e pritja po m’lodhë! Provoj me kalu rrugën, por kam mbetë në bordurë ma e pasigurt se kurrë.
Tuj mos pasë shteg tjetër me mbërritë për ku jam nisë, më sillen ndër mend
gjithfarë idesh, por asnjena nuk më tundon për me dredhu rrugë. Semafori duket
sikur po tallet me mu se herë ndez të kuqen e herë jeshilen, por asnjena dritë
nuk e ka ma funksionin e përcaktum qysh në origjinë. Dora e policit i rrënon
tanë përcaktimet fillestare e në udhëkryq mbizotnon pasiguria e ankthi.
Qielli peshon sipër
meje si një masë e amullt e nuk ka ma kthjelltësi ku të gjej pak paqe. Boritë e
makinave krijojnë një mërzi të plumbtë, kurse lëvizjet e dorës së policit
përplasen me nji ritëm pervers ndër sytë e kalimtarëve në të katër rrugët,
mbetun peng të nji sinjali. Kënaqësia jetëpak e jeshiles zhbahet si mos me pas
ekzistu kurrë.
Si sajesat e muzave të
vonueme që trokasin në shpirtin e lodhun prej pritjesh të mbrame, ajri
pulitet prej përplasjes t’krahëve të nji V-je dallnyshesh që fluturojnë
krejt poshtë, të frigume prej qiellit pa ngjyrë. Vorbullojnë me shpejtësi amullinë bajate e zhduken. Udhëkryqi s’bëzan, veçse baptima e hapave të mija në asfalt davarit
ankthin e stërzgjatun ...
(19 qershor 2012)