(c) rozafa shpuza
Në pragmuzg, kur rrezet dembele po i aviteshin ngeshëm
majës së Taraboshit tue i dhanë liqenit nji dritë bojëshegë që të lente pa frymë,
qyteti i shtrimë poshtë bedenave të lashta më pëshpëriti lehtë, si me dashtë me
m’thanë nji sekret.
Pëshpërima jehoi tue u përplasë ndër muret e rrënueme
prej tufanit të moteve, u shumëfishue e u shpërba në hapsinën përtej themeleve
të stërmundueme të kalasë.
- Ke me u endë mes dy dashnish - mërmëriti zani i
qytetit.
Ktheva kryet me shpresë se gurt e moçëm po më rrëfejnë
legjenden, por ata heshtën të stivuem randë mbi sho-shoin, pa dashtë me ia ditë
për padurimin tem.
Nji tufë pëllumbash të egër fluturuen sipër meje tue e
dridhulatë ajrin e stërpikun me të verdhën e dillit tashma n’arrati. Mora teposhtë
kalasë nëpër kalldremin e limuem prej dalldisë së hapave të panjehuna, tue
ndjekë me sy fluturimin gri të pëllumbave, që gugaten sekretin e qytetit:
“...mes dy dashnish, ...mes dy dashnish”.
Kalaja me dy porta të randa më përcolli tue më beku me
tamlin e bardhë të Rozafës. Poshtë saj, Drini kapërthehej në rrjedhën e
tërbueme prej dy urash që varen si diagonale mitike e kot rreken me e ba zap.
Përballë, në nji dremitje marramendëse, përkundej Buna e
përshkueme tërthor prej dy urash të tjera, që zgjaten deri në rrazë të shkambinjt
e qindisun prej sherbelash erëmira.
Diku përtej, në kambë të maleve që i rrinë si kunorë
qytetit, turravrapet zallit Kiri i kthjellët, që ban sikur e ndalë tutet para
urës së vjetër me harqe nazike, kurse urën e re përshkonte me mospërfillje, tanë
inat që i ka ngushtue brigjet me betonin e saj.
Teksa muzgu po i len vendin mbramjes, nji freski e kandshme
iu mbështoll si shall mëndafshi supeve naziqe të qytetit, që kalamendej mes
dashnisë së ujnave e të maleve. Era e Veriut davariti shtëllungat e reve, që
shpejtuen me u zhba, teksa hana derdhi magjinë e saj mbi pullazet kuqaloshe të
rrugicave hollake.
Në kët’ qetësi t’lume, prej diku larg, ritmi marramendës i
nji rezeje deret m’diftoi sekretin që ishte stivue ndër sergjiat e moteve. Tak–tak,
kumbonte prore, pa u fashitë tingulli fillestar, e jehona më pëshpëriste: “Ke
me u endë mes të sotmes e të përtejmes, ku prehet gjysma jote; mes vendlindjes
dhe qytetit ku jeton; mes dy brigjesh të krypuna miklue prej dufit të zbaticave;
mes dashnive që u bjerrën e atyne që buluen; mes fërfëllimave fatale të
shpirtit e ndjesive kalimtare; mes magjisë së netve me hanë e terrinës së vetmisë;
mes puthjeve që more e atyne që dëshirove; mes miqve që të rrethojnë e atyne që
të mungojnë; mes andrrave që realizove e atyne që mbeten ndër bebet e syve të
kaltër; mes mirëseardhjeve e lamtumirave...”
... fati jem ishte shkru ndër arkapijat e dyzueme të këtij
qyteti fatlum.
Rozafa Shpuza