(Foto R. Shpuza)
Kambët koloviten
në stolin e pritjes
e pellgu poshtë tij
vizaton rrathë
që hepohen tue u zhba.
...tasheparë,
trishtimi i trishtilit tretë
në trollin e lagshtuem
të syve.
Wednesday, April 10, 2013
Wednesday, April 3, 2013
Rrashta e breshkës - Rozafa Shpuza
Pritja asht kapërthye mbas meje si rrashta e breshkës…
S’e mbaj mend qysh kur ajo u ba nji me mu, por tashma asht vonë me e zhba
kët përqafim fatal. Kajher e shtyj prej vedit e rrekem me besue se nuk po pres
ma, por hija më shtriqet e paplotë në asfalt, se pritja ia ka përpi krahnorin.
Dikutek, idili i baticave ka mbetë pezull, se pritja asht nderë e njelmët
mbi zbaticat; foleja e dallnyshes asht tjetërsue prej ankthit të pritjes; dega
e akullueme e luleborës i drithërohet joshjes së sythave në pritje me
shpërthye...
I druhem çastit kur baptima e hapave tuj ka me ndalë para meje e pritja
ka me u hapërda si mos me pas egzistue kurrë.
- Erdheee?!
- Erdha për ty...
Tamam atëhere kur duhet me u hedhë përpjetë prej gëzimit, çoroditem e zani e hup' jehonën. Nuk di me frymue pa pritjen teme. Pa të ndihem
e voshkun si breshka pa rrashtën e saj...
Prill 2013
(Foto R. Shpuza)
Subscribe to:
Posts (Atom)