Assesi
nuk mundem me i gjetë arsyet që më zgripojë drejt diçkaje që, pa e kuptue,
bahet nji me shpirtin... As arsyen pse ky far vetmitar hyni kaq fatalisht në mue
nuk e di... Kujtoj se kanë rigue shumë shina vjeshtakë, por ajo drithërimë m'u ba sinori i çdo psherëtime...
Deti
shkulmon i trazuem. Pulëbardhat klithin e vorbullohen si të çmenduna, ...ndoshta
prania jeme i bezdis. Dera, e shkallmueme prej ernave të pabesa, përplaset
dreqnisht e menteshat e ndryshkuna vajtojnë mnershëm. Tutem me hye se honi i
farit hepohet mes lagshtinës e terrinës së mistershme. Hapat e mi janë pagojcë,
se zhumhuri i detit e përpin trokitjen e tyne në trollin e njelmët. Avitem prajtaz
te shkallat e drunjta e filloj me u ngjitë përhanshëm. Ndjesia e ngjitjes ma bjerr
ankthin e më nep njifar paqtimit të ambël shpirtnor.
Parmaku më
shoqnon miqësisht në të përpjetën ndjellëse e saora dora rrëshqet mbi të me epsh. Nuk kam hypë kurrë kaq
nalt, prandaj ngutem. Fryma që turret prej krahnorit e përplaset në boshllëkun cullak
m’i thanë buzët, ndaj tasheparë i lëpij me gjuhë për me i gjallnue. Shpejtoj për
atje ku asht shpirti i farit, që pulson i pacenuem prej padurimit tem. Më tjetërson ky ritëm i stërlashtë. E di mirë se pa këtë pulsim fari zhbahet,
baticat harrojnë me prekë ijet e tij, pulëbardhat nuk gjejnë prag ku me klithë, marinarët mbesin pa harbimin e takimeve në mol...
Si duket
kam kaptue majen se vështrimi hapërdahet i mekun, i paanë, andrrimtar. Vikas prej kënaqsisë e zani jem shtriqet ndër skutat ma të thella të shpirtit.
E ndjej se zbatica rreket me e fashitë magjinë e këtij çasti, por unë jam ngujue në përqafim, anipse nuk e di arsyen që më ban pre e pulsimeve të këtj fari vetmitar...
E ndjej se zbatica rreket me e fashitë magjinë e këtij çasti, por unë jam ngujue në përqafim, anipse nuk e di arsyen që më ban pre e pulsimeve të këtj fari vetmitar...
Shtator 2013
Rozafa Shpuza
No comments:
Post a Comment