Wednesday, October 30, 2013

Sepeti vjeshtnor






Sepeti vjeshtak

Kajher, rraskapitja jeme për me fshi kujtimet që më bjerrin frymarrjen më përngjet me gomën! Bash me atë gomën e butë e të bindun, që dikur e përdorja me fshi gabimet ndër fletoret e detyrave. Njashtu tinzash, tue e mshehë me pëllambë të dorës, e fërkoja fort me gomë, por gabimi veçse zbehej, teksa fleta gërryhej keqas. Tasheparë goma sfilitej tue ba ecejake, fleta shkalafitej e gjithçka duhej me u fillue s’parit...
- Me fillu s’parit? Prit pak! S'parit!? Si s'parit?!
- Prej aty ku nisi, - më belb silueta e zanit tand.
A thue asht e mujtun me zhdavaritë ditët e shenjueme e me mbetë pa kujtime?! Goma bahet gati me fshi frymën teme që luhatet e përhanun mbas heshtjes tande...  Dënesa e syve shkapetet në asgja. E ndjej se goma më ka marrë inat. Asht zvoglue dhe krejt e sfilitun më përbuz për detyren e mbrapshtë që i kam caktue. Ndali nji hop, pendohem, por si dikur në fletoren e detyrave, i mrrolun ka mbetë imazhi i asaj që deshta me zhba. Nuk di si me e shky këtë fletë kujtimesh që më randon ndër qepallat e mekuna prej boshllëkut shterp.
Përpëlitem paprâ me e gjetë pse ndodhi, si ndodhi, ku gabova... Rrekem me vu në nji syprinë të sheshtë dufesh e me i gjykue prologun dhe epilogun. Por kujtimet shkapërcejnë dreqnisht caqet që ju vuna e hapërdahen si vesë në mrizin qelibar të shpirtit. Përtueshëm, akrepat ndjekin sho-shoqin e, pos stërmundimit tem për me të fshi, asgja s’ndryshon...
Mirfilli, sa herë miklohem prej jehonës endacake të fundstinëve, të stivoj në sepetin vjeshtnor, që s’ban gja tjetër veçse ndryn heshtazi kujtimet për me i bulue rishtas si sythat në pranverë. 

 Rozafa Shpuza



(30 tetor 2013)

Tuesday, October 22, 2013

Ditë tetori në bregdet - Album fotografik














Gjiri i Lalzit, tetor 2013

© Rozafa Shpuza-All Rights Reserved

Monday, October 14, 2013