Sepeti vjeshtak
Kajher,
rraskapitja jeme për me fshi kujtimet që më bjerrin frymarrjen më përngjet me
gomën! Bash me atë gomën e butë e të bindun, që dikur e përdorja me fshi
gabimet ndër fletoret e detyrave. Njashtu tinzash, tue e mshehë me pëllambë të dorës, e
fërkoja fort me gomë, por gabimi veçse zbehej, teksa fleta gërryhej keqas. Tasheparë goma sfilitej tue ba ecejake, fleta shkalafitej e gjithçka duhej me u fillue
s’parit...
- Me fillu
s’parit? Prit pak! S'parit!? Si s'parit?!
- Prej
aty ku nisi, - më belb silueta e zanit tand.
A thue
asht e mujtun me zhdavaritë ditët e shenjueme e me mbetë pa kujtime?! Goma
bahet gati me fshi frymën teme që luhatet e përhanun mbas heshtjes
tande... Dënesa e syve shkapetet në asgja. E ndjej se goma më ka
marrë inat. Asht zvoglue dhe krejt e sfilitun më përbuz për detyren e mbrapshtë
që i kam caktue. Ndali nji hop, pendohem, por si dikur në fletoren e detyrave, i mrrolun ka mbetë
imazhi i asaj që deshta me zhba. Nuk di si me e shky këtë fletë kujtimesh që më
randon ndër qepallat e mekuna prej boshllëkut shterp.
Përpëlitem
paprâ me e gjetë pse ndodhi, si ndodhi, ku gabova... Rrekem me vu në nji
syprinë të sheshtë dufesh e me i gjykue prologun dhe epilogun. Por kujtimet
shkapërcejnë dreqnisht caqet që ju vuna e hapërdahen si vesë në mrizin qelibar
të shpirtit. Përtueshëm, akrepat ndjekin sho-shoqin e, pos stërmundimit tem për
me të fshi, asgja s’ndryshon...
Mirfilli, sa herë miklohem prej jehonës endacake të fundstinëve, të stivoj në sepetin
vjeshtnor, që s’ban gja tjetër veçse ndryn heshtazi kujtimet për me i bulue
rishtas si sythat në pranverë.
Rozafa Shpuza
(30 tetor 2013)
Një gjuhë që shpreh kaq thellësi! Mahnitëse si gjithmonë!
ReplyDeleteMe shumë stimë
Ju jam mirenjohese Emily...
ReplyDelete