Prap
vranët sot. Grija sikur i ka ngjye flokët e ajo i përngjet nji shtëllunge tymi
të saposhkëputun nga nënbarku i shkalafitun i autobusit urban që kalamendet në
rrugën e zhurmshme.
Krejt e përhumbun
pret në stacion. Kollaj mundesh me e krahasue me nji personazh të teatrit të
kukllave që u bindet tekave të duerve poshtë tij. Sa bjen muzgu del nga klinika
e zymtë, ku ju ka shërbye atyne që ankohen, vuejnë e shfryjnë dhe pret autobusin
për në shpi... Ndoshta i asht ngjitë në lëkurë zbehtësia e të sëmurëve e
prandaj nuk din me dallu të bukurën përreth saj!
Ulë sytë
e turbullt prej lodhjes e shef trupin e vet. Gjoksi mezi i dallohet, kurse
kofshët thatime zgjaten si kërcunj pa krijue asnji formë joshëse. Pellgu, bri
kambëve të mbërthyeme në bordurë, ia shformon tiparet. Flokët i janë ngjeshë e fytyra
i zgjatet si dama ndër letrat e bixhozit. Nervoze, heq lastikun me të cilin ka
lidhë bishtalecin e krelat i hapërdahen në erë. Zgavrat e hundës pikturohen në syprinën
mashtruese të errta e të zmadhueme. E trembun prej kësaj shëmtije ngre kryet
nalt, ku nji trumnajë zogjsh vorbullohet ankthshëm e skalit ndër re' mbishkrimesh
abstrakte.
Te dera e
autobusit njerëzit shtyhen e ngjeshen me njeni-tjetrin. Ajo ka fat se turma e
shtyn afër dritares, ku shpejton me nxjerrë kryet. Tue shpupurishë gacat, gështenjapjekësi
në trotuarin përballë, i buzëqesh djallëzisht. Nuk i ven randësi eksitimit të
tij se autobusi niset me turfullim. Por nuk kalon asnji minut e semafori i kuq
e ban me u kryqëzue me gjuhën e taksistit që lëpihet ndër buzët e tij të thame.
Kthen me marifet sytë me pa dritaret e tjera, por ato janë të mbylluna e askush
tjetër përveç saj nuk e ka joshë taksistin.
- Çka po ndodh sot? – belbëzon, teksa
mollzat i janë skuqë.
- Ejjj seksi, - merr si përgjigje
fishkëllimën e shpërndarësit të picave, që bahet erë me motoçikletë sapo
semafori jeshilon.
Ma në fund duket
stacioni i saj e ajo ngutet me dalë. Merr frymë me shpejtësi e pëllambët e
duerve i janë lagshtue. Nuk i ka ndodhë kurrë ma parë me tërhekë vëmendjen e
meshkujve. Kontrollon me marifet mos e ka fajin bluza që ka veshë, por ajo as që
vehet re me atë ngjyrë të shplame.
Shkapërcen rrugën,
tue shpejtue hapat teksa autobusi zbrazet e rimbushet. Kurioze kthen kryet. Shtanget.
Nji modele që reklamon të brendshmet intime i buzëqesh tanë sensualitet prej autobusit
kabah. Dritarja e hapun zijon fiks mbi qafën e saj, afër tentenave të
tejdukshme që rreken me ba zap’ gjoksin e saj të bashëm...
Tetor 2013
Rozafa Shpuza
No comments:
Post a Comment