Friday, January 17, 2014

Këpucët


Eh, sa fort ju asht vjetrue syprina!!! Ka rregullue këpucët e gjithkujt, por të vetat kurrë. E bash kur rrëketë shkapesin ndër xhama harbimin e tyne ma ekstrem, ai ka marrë ndër duer njenën prej tyne. Të majtën. Mundet me u dukë çudi pse pikërisht të majtën, por ky asht mësimi i parë i këpuctarit: me fillue prej asaj që asht ma pak e prishun. Qysh kur e ka nisë këtë zanat, s'mbahet mend se kur, nuk ka pasë përjashtime për këtë rregull. Si duket, s'ka qellue asnji sallaks andejpari.
E sjellë ndër duer, si me kenë ndonji gastare. Lidhsat janë shkurtue prej nyjeve, që bahkojnë dy anët e këputuna. Sholla ka nji birë tejpamëse, prej ku mundet me pa llapen e njeshun për lidhsa, që i ngërdheshet dreqnisht.
I kujtohet dita kur i veshi s’parit ato këpucë për me shkue në takimin ma të bukur të jetës së vet. Ndjen se e kaplon nji afsh i nxehtë e faqet i skuqen. Duket sikur rrëketë e tërbueme të shiut po zhbirilojnë në terrin e kujtimeve. Ka kohë që vetmia i bjerrë shpirtin... Gishtat e plasaritun prej zamit e thonjtë e nximë prej gomave shtërngojnë fort këpucën e shkalafitun. As uji i vlumë nuk ju ban ma derman atyne duerve që kanw fillue me u dridhë paksa.
Kujtohet se nade herët ka nderë teshat në oborr. Teli i teshave ka përqafë degën e nji mandi të kuq e skaji tjetër i tij asht fiksue me nji gozhdë magjypi në murin me gur të bardhë, që kur shpëlahen prej shiut ju përngjasin kafkave. Me siguri, mandat  kanë me u hallakatë prej epshit të shiut e njollat ndër tesha kanë me kenë fatale.
Tashma nuk ka asnji dëshirë me e riparue atë këpucë. Për të mundet me thanë veç "na ishte njiherë". Kuturu, nis me fishkëllue nji kangë të vjetër: "do t'i baj rixha kojshisë, që ta presin pak njat' mand...". Qesh me vedi se i kujtohen trillet e rinisë. Skutat e pluhnosuna të dugajës me sergjia dërraset, ku janë stivue këpucët e myshterinjve, sikur gjallnohen prej tingujve tw kangws.
Në shpi ka nji palë këpucë që i ka ruejt bashkë me teshat e dekës. E din fort mirë se rrugtimi i tij ka veç dy stacione, dasmën e deken, e sot ia paska anda mos ju vue vesh fjalëve të hallkut. E pse u dashkan këpucë të reja për stacionin e mbramë?! 


R. Shpuza (janar 2014)

No comments:

Post a Comment