Wednesday, May 7, 2014

Monolog...





U mpaka në kët terrinë shterpe. U cfilita. Makutënia e harresës ma voshku shtatin. Druej se padashas, siç ndodh prore mbas mëdyshjeve cullake, nji tjetër ka me m’zanë vendin, nji ma sharmant, ma i ri, ma i limuet...
Qe ku jam! Më nxirr prej kësaj katrahure sendesh të pavlera! Më përfshij mes gishtave tuej delikatë, që vetëm me nji prekje më përpushin epshin e përgjumun! Jam i mjerë pa ty e çdo çast jam gati me u kallë n'ty. Njajo flakëza jeme mavi t’i nep buzve nurin që kërkush pos meje s’mbërrin me ta dhanë... e ti e din fort mirë çka ndjen kur e thithë ate kenaqësi tue mbyllë sytë si n'kllapi.
He! Më ndiz! Bane trupin tem me u përpie prej orgazmes ma fatlume që kanë pasë rivalët e mi! Veç ti ke magjinë me m’kallë e prore me m’shue fatalisht.
Qe ku jam! Në zgrip të askundit kotem i fikun e rrotull meje janë do goma me shije perverse që ti i përçapë nervoze, kinse me harrue ekzistencen teme. I pezmatuem prej indiferencës tande jam gati me përcëllue tana ofshamat tueja. E ndij kur vetmia të kaplon. Buzët t’hapen paksa e dhambët kafshojnë ethshëm gishtat. Bash njateher të duhem për me shfrye dufin.
Ohh, zgjati gishtat edhe pak! Druej mos asht andërr. Po dridhem prej ankthit e padurimit. Gishtat tuej po më prekin majen paksa dyzues e mandej më shtërngojnë të tanin ethshëm. Kur më nxjerr prej terrinës duert të lagshtohen paksa e njashtu i përpimë prej gishtave tuej ndjej nji fërkim që më shkapetë ndër hone përvëluese. Si n'jerm shkrepi e mandej derdhem kënaqësie... 

(Eh, sa herë e përsëritë kët monolog çakmaku i hedhun kuturu në çantën e asaj që rreket me lanë duhanin...)

Rozafa Shpuza

10.4.2014

No comments:

Post a Comment