E përditshmja po e debulon kët qytet me nji pështjellim fatal stinësh, aq
sa kërkush s’asht ma i zoti me dallue nëse vera asht në prag apo n’arrati.
Dufet e qiejve shkapeten kuturu ndër antenat e nguluna si hajmali në maje
tarracash, kundruell kazanave kaba që depozitojnë ujin e tejngopun me klor.
Ekranet virtuale hapërdajnë papra ndjesi shterpe përmes lajmeve të rozta
apo të zijueme. Njerëzit komunikojnë me gishta e buzët belbin më kot për me
nxjerrë ndonji tingull shprese.
Si damarët e nji të sëmuri në grahmat e mbrame, rrugët përpëliten mes
smokut e amoniakut të nënurave.
Autobusët urbanë ngrehin zvarrë pasagjerët, e plaka rrin në kambë afër nji
vajze të ulun që flirton me celularin.
Bri stacioneve, dyert shfryjnë duhmën sintetike e kaosi pushton pragun
metalik të autobuzave urbanë. Kërkush nuk pret, tanë duen me kenë të parët, anipse presohen si
teshat ndër thasët e “Gabit”.
Kafet gulojnë nga të ngeshmit, e shefi, që sapo ka firmosë për ligjin
“antiduhan”, ven në buzë puron. Tre çakmakë shkrepin vrikthi, në garë se kush
ia ndezë i pari.
Tue i përplasë filxhanat mbi syprinën e tavolinës, kamarieri u servir kafet
ma parë zotnive e mandej zonjave, karriera e të cilave bazohet në dekoltetë e
minifundet.
Takat e nalta nuk janë ma simbol delikatese, por pengu ma i madh i atyne
rishtakeve që, të mësueme me të përpjetat e shtigjeve të fëminisë, përkulin
gjunjët si lejlekët në moçal, pa mujt me përballue horizontalen e pashpirt të
sallave qytetase.
Kërkush nuk e pranon mendimin ndryshe, ndaj tasheparë kacafyten për
parimet, të cilave ju retushohet data e skadencës sa herë ndryshojnë krahët e
politikës.
Afishet ndër trungjet e pemëve ngulen me 100 kapëse aktesh, e askujt nuk i vjen keq për lëvoren e mjerë, por për lajmin se sa herë ka përdorun silikon kangetarja që stonon mrekullisht.
Do libra të zverdhun ndër parmakët e urës së madhe përpihen prej
indiferencës së studenteve që ju gëzohen akronimeve të sapokrijueme në chat.
Lumi që dergjet i përçudnuem brigjeve beton-thyeme përhapë n’ajri’ dilemën
ma të madhe të gjithkujt: Ku po derdhet me kaq ngut ky qytet?
2014
Rozafa Shpuza
* Gabi - Tregu i teshave te perdoruna qe shiten nga gabelet
No comments:
Post a Comment