Stilolapsi që qet kryet prej harkut të
qelqtë te sporteli i bankës i përngjet të burgosunit me kambë të lidhuna. Nuk e
mbaj mend kur u ba modë kjo gja, por çuditem pse stilolapsat e nji banke janë
ma të randësishme se paret që vidhen pa teklif prej saj.
Sa dal në rrugë, disa piramida plastike të
lidhuna me zinxhirë, qyqojnë bri bordurës. Vendet e parkingut ruhen me piramida
të lidhuna... Hej, si s’e paskam vue re ma parë këtë risi!
Vrikthi më ther kujtesën imazhi i dikurshëm
piramidave në kufi, bri të cilave u shpuen prej plumbave qindra njerëz që
andrruen botën e lirë apo u lidhën me pranga për me u kalbë ndër burgjet e komunizmit...
Tue tjerrë ndër tezgjahet e ngjarjeve të
lidhuna me zinxhirë (plastikë apo të çeliktë), padashas kuptoj se tashma folja
“me lidhë” ka hy në fjalorin e shqiptarëve ma furishëm se kurrë... “me lidhë
dritat kur t’i presin”, “me lidhë internetin”, “me lidhë kontratën”, “me lidhë
marrëveshjen”, “me lidhë miqësi FB-iste”..., me lidhë, me lidhë...
Përdorimet e dikurshme të foljes “me lidhë”
erdhën tue iu përshtatë zhumhurit qytetas e prej kuptimit ma parësor “me lidhë
qenin”, kjo folje, aq e thjeshtë në dukje, erdhi e u ba strumbullari i fjalorit
të përditshëm. Sfilitja për mbijetesë i bani njerëzit “me u lidhë për bukën e
gojës” e kërkujt nuk i bjen ma ndër mend për përdorimet frazeologjike të saj,
të cilat i hasim shpesh në folklor:
“Shtatë shaljanë
kanë ra në Shtoj,
kanë lidhë besën
shoqi- shojt”.
Mjerisht asht harrue krejt shprehja “me
lidhë besën” se punët zgjidhen me zarfe të fryeme, që i rregullojnë punët sa
hap e mbyll sytë.
Apo te vargjet: “M’ka lidhë nana nji herë në djep,
e s’ma ka lidhë
as krajl as mbret”.
Eh, sot nuk bahet ma fjalë me e përbuzë “lidhjen” që
mundet me të imponue nji shef, sado i vogël qoftë, mjafton që nuk të rrezikohet
vendi i punës.
Apo shprehja “burrat lidhen prej fjale e
lisat prej rraje”... si kuptohet sot? Sot askush nuk lidhet ma prej fjale, por prej
interesit...
E ky rrugëtim i foljes “ me lidhë” shkon deri te
lirikat e Jugut që të shkundin nga ndjesitë e brishta:
“Lidhe qenin
ti moj qëne,
lidhe për kokë
të sat’ëme”.
Megjithëse ka shumë egërsi në shprehjen e dashurisë,
prap asht ma bindëse se “lidhjet e dashnive virtuale” që stisen mes ekraneve të
ftohta, tue mohue ndjesinë e prekjes reale.
Me vazhdue zhbirilimin, kam frikë se
rrugëtimi i “me lidhë” ka me hy ndër do shtigje, që zor se mundesh me ua gjetë fundin...
I ndij hapat që shkapeten gjithnji e ma
fort mbi bordurë, ku prore eci, ndoshta për me iu shmangë klithjes së duerve të
lidhuna për mbijetësë, që shtrihen si rranjë grami përkah unë... Qielli i kryqëzuem
prej telash që përshkojnë dritare, ballkone, tarraca, fate njerëzish që varen
bash prej këtyne lidhjeve, shpupurishet prej flatrimit të grizhlës, që ndalen
me pushue mbi parmakun e nji shkalle të prarueme prej brymës...
Rozafa Shpuza
(janar 2015)
No comments:
Post a Comment