Thursday, February 26, 2015

Historia e gjethit bakeq

    


Na ishte njiherë nji gjeth. Aq i ligsht ishte, sa askush nuk e vuni re kur qiti kryet rranzë murit të ngrehinës me lagshtinë në palc. Njashtu anemik, gjallonte tue u rrekë me ju përngja vllazënve ma të mëdhenj, që krenoheshin për vetinë e tyne përcëlluese. I qante zemra pse nuk e kishte edhe ai atë veti e nuk ishte i zoti me përcëllue ma fort se të tjerët...


Kaluen mote e qiejt derdhën tanë tërbimin e tyne mbi muret gri të asaj ngrehine, pa dashtë me ia ditë për gjethin bakeq të strukun mbas murit që, kadalë-kadalë, u përlye prej gjethnajës përcëlluese. Aq të thella i kishte rranjët hitha, nana e gjethit, sa çdo gur, çdo plasë, çdo myshk i mureve e hupi shpirtin e u ba pre e përcëllimit. Percëllimi pëshperitej gur mbas gurit tue edë nji rrjete shtrigane. Rrjeta përcëlluese endej gjeth mbas gjethit e kur i prekte në trup të pikasunit, goditja ishte fatale. Viktima futej në kurth e përcëllohej vetëm se mund ta kishte pa pak vranët ligësinë e hithës. Mandej, pa pike mëshire, fshikullohej me kamxhikë dreqnishit e ishte i destinuem me u kalbë nën pushtetin e hithës gjakpimëse.


Kërkush nuk ka me e besue, por gjethi bakeq u ba i pari i asaj gjethnaje makabre, se vetëm ai mundi me hekë qafe vllazinit, tue shartue krahët e vet me përcëllimin e tyne. Qilaret e ngrehinës u mbushën plot e përlplot me viktimat e përcëllimit, ishulli u skamnue, rrajt e hithës përpinë pragje e pullaze… Por gjethi bakeq s’kishte të njimë. Ai veç përcëllonte e kënaqej prej triumfit të vet.

Mbas nji tërmeti që shkundi çdo gur e gjeth në ishull, gjithkush mendoi se rrajtë e hithës u zhbinë e gjethi bakeq u fundos ndër gjirizet kundërmuese për mos e çue ma kryet... por magjia e errët ishte e pashpirt. Thonë, se nji bari gjeti në tokë nji farë të stërkeqtë, e prejse ju dhimbt, e mori me e ruejt në oborrin e vet. "Si fara e hithës"- kanë thanë të moçmit, gjethi bakeq rimbiu, por tashma kishte emën e pamje ma të moderueme...


Rozafa Shpuza

(shkurt 2015)

Qejtë e rrugave




Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin e të parëve. Mjerisht, qejtë e rrugave belbin pa mujt' me lehë e përherë e ma rrallë i ulërijnë hanës së plotë.

Prajtaz, ato tubohen natën, kur muzgu ka ngrehë rrëshqanë të lehunat e njerëzve, që mbajnë mbas vedit nji kone delikate, me shpresë se ajo kafshëz po jua zbutë shpirtin sadopak.

Ecin në grupe përgjatë lumit, përshëndeten me lypsarët që ua kanë zanë strofullat nën urë, ju lëpihen ndër kambë fshesareve në shenjë dashnie, sfidojnë të qetë policët rrugorë, shumohen ndër orgji të ethshme, që nuk zgjasin ma shumë se rindezja e të kuqes së semaforit...

Qejtë e rrugave nuk ju afrohen ma plehnave. Vaktet i hanë të freskëta nën dritaret e pallateve, nga ku fluturojnë të lidhuna ny veset e injorantëve.

Rrallë hasë tuba qejsh që kanë nji kryetar, zakon fort i moçëm ky i fisit të tyne. Ata tanë ndjehen, pa përjashtim, të denjë për atë post, qysh prej ma plakut deri te këlyshi rishtak.

Qejtë e rrugave i janë përshtatë ma s’mirit këtij qyteti mjeran: qimet ju kanë marrë grinë e ngrehinave shterpe, sytë kanë përpie pisllekun e lumit, bishti ju rrin mes shalëve për me u mëshirue prej shkelmave të kalimtarëvë... Nji vath i verdhë i ka damkosë si qej rrugash e ata e dinë mirë se mbijetesa me qeniet që ua vodhën të lehunën, asht fort e vështirë...

Rozafa Shpuza
(shkurt 2015)