Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë
amanetin e të parëve. Mjerisht, qejtë e rrugave belbin pa mujt' me lehë e përherë e ma
rrallë i ulërijnë hanës së plotë.
Prajtaz, ato tubohen natën, kur muzgu ka ngrehë rrëshqanë të lehunat e
njerëzve, që mbajnë mbas vedit nji kone delikate, me shpresë se ajo kafshëz po jua zbutë shpirtin sadopak.
Ecin në grupe përgjatë lumit, përshëndeten me lypsarët që ua kanë zanë strofullat
nën urë, ju lëpihen ndër kambë fshesareve në shenjë dashnie, sfidojnë të qetë
policët rrugorë, shumohen ndër orgji të ethshme, që nuk zgjasin ma shumë se rindezja e të
kuqes së semaforit...
Qejtë e rrugave nuk ju afrohen ma plehnave. Vaktet i hanë të freskëta
nën dritaret e pallateve, nga ku fluturojnë të lidhuna ny veset e injorantëve.
Rrallë hasë tuba qejsh që kanë nji kryetar, zakon fort i moçëm ky i
fisit të tyne. Ata tanë ndjehen, pa përjashtim, të denjë për atë post, qysh
prej ma plakut deri te këlyshi rishtak.
Qejtë e rrugave i janë përshtatë ma s’mirit këtij qyteti mjeran: qimet
ju kanë marrë grinë e ngrehinave shterpe, sytë kanë përpie pisllekun e lumit,
bishti ju rrin mes shalëve për me u mëshirue prej shkelmave të kalimtarëvë...
Nji vath i verdhë i ka damkosë si qej rrugash e ata e dinë mirë se mbijetesa me
qeniet që ua vodhën të lehunën, asht fort e vështirë...
Rozafa Shpuza
(shkurt 2015)
No comments:
Post a Comment