Teshat e nderuna në
ballkonin e katit të pestë të nji ngrehine rrjepun suvaje janë përpie prej
vorbullave të marra të erës... A thue i gëzohen atij harbimi të pacak? Retë
vikasin me za bubullimash e stërpiken me nuanca kumrijash që çukiten mes vedit
mbi tela telefonash.
Mbas pak ka me ra
shi, por kjo asht gjaja ma normale për këta ditë të ujshme marsi. Gjunjtë e mi,
të pasqyruem mbi pellgun bri bordurës, marrin forma abstrakte. Kalimtarët shkapeten
ndër bori semaforësh, teksa pemët përkulen me puthë luledelet naziqe.
Krejt shkujdesun fus
duert ndër xhepat e pardesysë ku gjej nji biletë të zverdhun. Vë buzën në gaz
prej kësaj vogëlsine. Eh, edhe vjet paskam veshë të njajtin pardesy e paskam
pritë të njajtin autobus...
Më shkëput prej
kujtimeve nji fshesare që kalon shisën poshtë kambëve të mia tue mërmëritë nji
refren kange. Degëzat jeshije, të lidhuna me tel të trashë mbas bishtit t'gjatë të shises, gërdhishtin asfaltin e plasaritun e zhbajnë pasqyrimin e gjunjve mbi pellg.
Prej larg vjen nji
cingërimë bore kapërthyem fort me mirazhin e majëmaleve. I tutem huqeve të
dimnit... anipse petalet e bardha të kumbulles, që i asht ngjeshë tanë epsh grrilave
të nji dritareje, gicilohen papra’ me jehona pranvere...
Rozafa Shpuza
No comments:
Post a Comment