Thursday, May 5, 2016

Kandari i shpirtit



Foto:R. Shpuza
 

- Prit pak, - i thu vedit, kur shputat e kambëve janë ba copë e supi asht anue dreqnisht prej strajcës me grykë të lidhun shkujdesun me spagë harrimit. Nyjet e spagës diftojnë mirfilli se sa ngutshëm e ankthshëm janë ndry kujtimet aty...

Mbasi je ndalë, fshin me kurrizin e dorës ballin e braztuem prej pritjes e ulesh i rraskapitun në zgrip të rrugtimit, bash në zgrip, prejse s’je i zoti me ba zapt mëdyshjet. E ven me kujdes strajcën mes shalëve, se aty të duket vendi ma i sigurt për të, e gjunjët e mbledhun u përgjasin sfinksave në dyert e kështjellave mesjetare.

Saora, matesh me e çilë atë strajcë, që s’mbahet mend qysh kur asht ba nji me ty... por ngurron në çastin e mramë. Asht nji shpirt i kapërthyem me shpërgaj kujtimesh, asht nji dashni që u bjerr e ty t’u desht me e ndry në atë strajcë...

I ulun bri rrugës, vëren gjurmët, që rrokopujshëm të prunë deri këtu, por ato mënojnë me rrëfye. Padashas kupton se, tue dashtë me fashitë pezmin e dashnisë së bjerrun, rende kuturu mbas takimeve të rastësishme, mbas buzëqeshjeve të rrejshme, mbas flirteve shterpe...

-       Ty të janë dukë të tilla,- i belbë trishtas vedit, anipse ato ta kanë mbajtë gjallë shpirtin e coptuem. Pa to kishe me kenë si ai orteku që zhbahet në humnerë. U rreke kot me vu tana post-dashnitë në nji krah, e në tjetrin dashninë e bjerrun. Nuk ka ma kohë me stivue dashni të rastësishme për me barazpeshue kandarin e shpirtit. Mirazhet e tyne vikasin prej thembrave të çdo gjurme ikacake...

E ndjen se je sfilitë, por orët s’dinë me u kthye mbrapsht, ndaj çohesh hovshëm e fillon me lanë gjurmë të reja në rrugë. Nuk e kthen ma kryet... Si sinor frymimesh të çmenduna, strajca ka mbetë atje në zgrip të rrugës. Tash supet të rrinë drejt e buzët të janë hapë paksa, sa me lejue pranverën me ta mbushë shpirtin rishtas...

Rozafa Shpuza
(maj 2016)