Foto:R. Shpuza
- Prit pak, - i thu vedit, kur
shputat e kambëve janë ba copë e supi asht anue dreqnisht prej strajcës me grykë
të lidhun shkujdesun me spagë harrimit. Nyjet e spagës diftojnë mirfilli se sa
ngutshëm e ankthshëm janë ndry kujtimet aty...
Mbasi je
ndalë, fshin me kurrizin e dorës ballin e braztuem prej pritjes e ulesh i
rraskapitun në zgrip të rrugtimit, bash në zgrip, prejse s’je i zoti me ba zapt mëdyshjet.
E ven me kujdes strajcën mes shalëve, se aty të duket vendi ma i sigurt për të,
e gjunjët e mbledhun u përgjasin sfinksave në dyert e kështjellave mesjetare.
Saora, matesh
me e çilë atë strajcë, që s’mbahet mend qysh kur asht ba nji me ty... por ngurron
në çastin e mramë. Asht nji shpirt i kapërthyem me shpërgaj kujtimesh, asht nji
dashni që u bjerr e ty t’u desht me e ndry në atë strajcë...
I ulun bri
rrugës, vëren gjurmët, që rrokopujshëm të prunë deri këtu, por ato mënojnë me rrëfye.
Padashas kupton se, tue dashtë me fashitë pezmin e dashnisë së bjerrun, rende
kuturu mbas takimeve të rastësishme, mbas buzëqeshjeve të rrejshme, mbas
flirteve shterpe...
-
Ty të janë dukë të tilla,- i belbë trishtas vedit, anipse ato ta kanë mbajtë gjallë shpirtin e coptuem. Pa to kishe me kenë si ai orteku që zhbahet në humnerë. U
rreke kot me vu tana post-dashnitë në nji krah, e në tjetrin dashninë e bjerrun.
Nuk ka ma kohë me stivue dashni të rastësishme për me barazpeshue kandarin e shpirtit. Mirazhet e tyne vikasin prej thembrave
të çdo gjurme ikacake...
E ndjen se je sfilitë, por orët s’dinë
me u kthye mbrapsht, ndaj çohesh hovshëm e fillon me lanë
gjurmë të reja në rrugë. Nuk e kthen ma kryet... Si sinor frymimesh të çmenduna, strajca
ka mbetë atje në zgrip të rrugës. Tash supet të rrinë drejt e buzët të janë hapë
paksa, sa me lejue pranverën me ta mbushë shpirtin rishtas...
Rozafa Shpuza
No comments:
Post a Comment