Thursday, May 18, 2017

Udhëkryq





Asht sfilitëse me u gjendë tasheparë në udhëkryq e mos me pasë asnji qasje se kah duhet me shkue.
Semaforët të marrin mendët me drita gjithfarësoj, që pulsojnë dreqnisht e orvaten me të drejtue përkah nji shteg shterp. Pulsimet lajkatare janë si nji çekiç që të rreh mbi krye e të ban konfuz. Por, megjithëse konfuz, secili e din mirë se shkëlqimet janë të rreme. I ka provue mbi shpindë të vet, mot mbas motit. Në fillim e kanë joshë me premtime, me farfurina marramendëse, me lugë arit... Medet! Fundi i çdo shtegu, ka kenë ngaherë ferr, ferr në llojin ma të sofistikuem të këtij nocioni.
Prore u shfaq nji udhëkryq. Këtë herë ma i makthshëm se kurrë ma parë. Altoparlantët ushtojnë frikshëm. Zani që jehon prej tyne të përqeth shtatin. Në secilin za asht i njitun me pështymë nji slogan me premtime.
Njeni kah premton me drita të kuqe.  Po a janë të zotët me premtue ato që nuk mohuen asnji faj makabër të së shkuemes, faje të atij udhëkryqi të përgjakun që hapërdante jerm ogurzi ndër biruca burgjesh e kampesh internimi?!
Zani tjetër i udhëkryqit të saposhfaqun premton me do retushime të çuditshme që hapërdahen me drita të verdha. Dyzimi a duhet me ecë apo me pritë asht sfilitës. Asht ajo çka secilin prej nesh e cytë dhe e stepë njikohësisht…
Zane të tjerë vikasin prej dikutek... Zane që s’prajnë tue premtue sa herë shfaqen udhëkryqe... Po nga cili kah i udhëkryqit duhet me e imagjinue ardhmëninë. Me ecë përkah? Përkah andrra, apo përkah e kishte planifikue me kohë fantazma që vazhdon me u endë ndër dyer të ndryshkuna bunkerësh që sfidojnë me uniformën e re që kanë mbathë?!
E si mundet me u bindë nji popull me ecë përkah i premtohet, kur në gurt e themelit të këtyne premtimeve janë vu renegatë, janë vu të zellshmit e së shkuemes, janë vu servilët që s’dinë çka janë idealet?!
E kështu shfaqen e zhduken udhëkryqet... Krejt indiferentë, krejt të bindun se kanë me ia arritë qëllimit sa herë të shfaqen, krejt falls, bosh mbrendë e të lyem përçudshëm jashtë. Njerëzit sillen me hapa të garrametshëm ndër to, shpejtojnë e ndalen. Shpresojnë e prore zhgënjehen. Horizonti përballë i përngjet nji fushe djerr’ të mbjellë me udhëkryqe që ju përgjasin përbindshave.  
A thue ka me mësue ndonjiherë ky popull me ecë përtej udhëkryqesh?!

Rozafa Shpuza, 2013

No comments:

Post a Comment