Thursday, November 11, 2010

Buna

Buna e Iliro-shqiptarëve Buna e gjallë dhe e zgjuar përjetë, shënjonte ndarjen e saj në Veriperëndim. Buna ishte shenja e dashurisë qiellore që zbriste nga malet, buronte prej Albanideve, dhe u sillte njerëzve vetëm dashuri. Ndërkaq Buna mblidhte ujërat që nga Mali i Thatë (si buronjë Lasgushiane) deri, puqur me Devollin. Bisedonte me Ohrin e Prespën përmjet Drinit që i falej dhe ia shtonte shtatin. Prandaj bartte bukurinë dhe mrekullinë e thuajse gjysmës së Shqipërisë që e ndillte në trupin e ujanës së saj. Buna mitike po edhe e mistershme, nuk i sillte ujë Adriatikut, por ajo për më shumë, e afronte Detin deri në Hanin e Hotit ku janë fundi i Albanideve. Me madhështinë e saj arrinte në të njëjtin nivel sipëror, të syprinës ujore, me detin dhe i ngjante një gjiri Detar, të thellë, duke përfshirë edhe liqenin e Shkodrës që është rrjedhë e saj, po edhe buronjë. Kjo është Buna e Shenjtë e Iliro-shqiptarëve.


Ajo ishte e lundrueshme deri në Shirgj. Anijet pas Smarishtit drejtoheshin për në jug. Kalonin Obotin dhe arrinin në ndërtesën madhështore të Manastirit të Shën Sergjit dhe Bakut, që në shekullin e XIII-XV ishte një truall i njohur i lëvizjes, tregtisë dhe komunikimit, në Ballkanin Perëndimor. Kjo Bunë e lundrueshme, për anijet dhe për galerat, gjer në Shirgj, sillte tregtarë nga Venediku, Dubrovniku, duke lidhur në transport dhe komunikim Ulqinin dhe Tivarin dhe më tej...Këto na i kumton në pararendje Buna, e cila ka kohë që na thërret për të na thënë se sa shumë është rënduar prej kohës dhe lëndës së madhe të ngurtë që ka ardhur nga larg prej malesh e fushash dhe që s'e ka lënë që ajo të gjallojë në lundrimin e saj. Pse vallë? Sepse shqiptarët e sotëm s'ia kanë kthyer sytë Bunës po e kanë lënë në harrim saqë ajo shpesh e më shpesh "I ka marrë vetë vendimet" në mjedisin rrotull, në përmbytjet e mëdha, që pse të mos të themi se janë edhe pjesë e shenjtërisë së saj, kur troket dhe askush s'ia hedh sytë.

No comments:

Post a Comment