Friday, December 10, 2010

Gabriel Garsia Markes - Lamtumirë






(Gabriel Garsia Markes ishte shkrimtar kolumbian, i cili fitoi çmimin Nobel në Letërsi në 1982. Shkrimi i mëposhtëm është një letër lamtumire drejtuar miqve të tij disa ditë para se ai mendonte se do të vdiste.)
     
Miqtë e mi, lamtumirë!
Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copë jetë, mbase nuk do thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do mendoja të gjitha ato që po them. Do u jepja rëndësi gjërave jo për vlerën e tyre, por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë. Do vazhdoja, kur të tjerët do ndalonin, do zgjohesha, kur të tjerët do flinin. Do dëgjoja, kur të tjerët do flisnin dhe sa do e shijoja një akullore me çokollate!
  Nëse Zoti do më jepte një copë jete, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit, duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin tim. Zoti im, nëse do mundesha do shkruaja urrejtjen time mbi akull dhe do prisja të dilte dielli. Do pikturoja një ëndërr të Van Gogut mbi yje, do recitoja një poezi të Benedetit dhe një këngë të Sheratit. Kjo do ishte serenata që do i dhuroja Hënës. Do ujisja me lotët e mi trëndafilat, që të ndjeja dhimbjen nga gjembat e tyre dhe puthjen ngjyrë kuqe nga fletët e tyre.
    Ah, Zoti im! Sikur të kisha një copë jetë, nuk do lejoja të kalonte as edhe një dite pa i thënë njerëzve që dashuroja, se i dashuroja. Do të bëja që çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do dashurohesha me dashurinë. Njerëzve do t’u tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë së dashuruari. Fëmijës së vogël do i jepja pendë, por do e lija të mësonte vetë se si të fluturojë. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria, por harresa.
    Mësova kaq gjëra nga ju njerëz. Mësova se të gjithë duan të jetojnë në "majën e malit", pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret në "faqen e pjerrët". Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngon për herë të parë me pëllëmbën e tij të vogël gishtin e babait të tij që zgjatet, e robëron atë përgjithmonë. Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet. Janë kaq shumë gjëra që mësova prej jush, por me të vërtetë nuk do hyjnë në punë, sepse kur të më mbajnë të mbyllur brenda në këtë valixhe, fatkeqësisht do jem i vdekur.
    Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon. Nëse do e dija që sot do ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do i lutesha Zotit që të bëhesha roja i shpirtit tënd.
    Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja  përsëri që të të jepja edhe të tjera.
    Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të dëgjoja zërin tënd, do incizoja çdo fjalë tënden, që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri.
    Nëse do e dija që këto do ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thoja "të dashuroj" dhe do supozoja, jo logjikisht, se e dije më parë.  Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nqs bëjmë gabime, na mbetet vetëm e sotmja. Do doja të të thosha se sa shumë të dua dhe se kurrë s`do të të harroj.
    E nesërmja nuk është e sigurt për askënd si i ri, si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj, mos prit më, bëje sot, sepse e nesërmja nuk vjen kurrë, sigurisht do pendohesh për ditën, kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe shumë i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre. Mbaj ata që dashuron pranë vetes, thuaji, duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjeje kohën për ta, thuaji "më vjen keq", "më fal", "të lutem", "faleminderit" dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di.
    Asnjeri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta.

No comments:

Post a Comment